Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj zhvilloi një takim me Sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jeans Stoltenberg.
Begaj dhe Stoltenberg dolën edhe në një deklaratë për mediat, ku folën rreth situatës gjeopolitike në rajon dhe më gjerë.
“U bë më shumë se një vit, që jemi dëshmitarë të një lufte konvencionale në Europë, rezultat i një akti të paprecedentë të agresionit të paprovokuar të Rusisë ndaj një vendi sovran, Ukrainës.
Ky akt ka tronditur paqen, stabilitetin dhe arkitekturën e sigurisë në Europë.
NATO ka demonstruar kohezion, solidaritet, unitet, vendosmëri dhe forcë reaguese për të mbrojtur çdo centimetër të territorit të Aleancës dhe vendeve anëtare.
Në këtë kohë sfidash për sigurinë Euro-Atlantike, është thelbësore implementimi i kuadrit strategjik të mbrojtjes dhe shkurajimit, si edhe përditësimi i planeve të mbrojtjes së Aleancës.
Është veçanërisht e rëndësishme forcimi i tetë grupbatalioneve në krahun lindor të NATO-s”, u shpreh Begaj gjatë konferencës.
Sipas tij, situata aktuale e bën të domosdoshme që rendi i qetësisë dhe i paqes ndërkombëtare të jetë fokusi ynë.
“Për këtë arsye, zgjerimi i Aleancës është detyrim, ndaj, anëtarësimi i Suedisë dhe i Finlandës janë të mirëpritura dhe të domosdoshme.
Unë jam i lumtur që Parlamenti i Shqipërisë është nga të parët që e ka ratifikuar protokollin e anëtarësimit në NATO të Suedisë dhe Finlandës.
Në koordinim të plotë me Aleancën, Shqipëria i qëndron në krah dhe do të vazhdojë ta mbështetë Ukrainën në aspektin politik, diplomatik, ushtarak dhe të asistencës humanitare për aq kohë sa të jetë e nevojshme.
Në cilësinë e anëtarit jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në bashkëpunim me SHBA-në dhe BE-në, ne do vijojmë të jemi proaktiv në ruajtjen e kohezionit ndërkombëtar për Ukrainën”, tha ai.
“Rusia përbën kërcënim domethënës dhe direkt ndaj NATO-s dhe Ballkanit Perëndimor. Ajo ka rritur përpjekjet e saj influencuese duke përdorur metoda të luftës hibride, subversionit politik, financimeve të paligjshme etj.
Qëllimi i saj është prishja e paqes, stabilitetit dhe bllokimin e reformave Euro-Atlantike të vendeve të rajonit.
Kemi ndjekur me shqetësim ngjarjet në veriun e Republikës së Kosovës në fund të vitit të kaluar.
Shqipëria përshëndet dhe mbështet dialogun Serbi-Kosovë. Që nga viti 2008, Republika e Kosovës është një vend sovran dhe i pavarur me vizion të qartë për t’u integruar në familjen euro-atlantike.
Plani europian për normalizimin e marrëdhënieve është një hap pozitiv që do duhet të qendërzohet në njohjen reciproke ndërmjet dy shteteve”, vijoi Begaj.
Më tej, Presidenti theksoi: “Shqipëria vlerëson shqetësuese kërcënimin që vjen nga Irani.
Në korrik dhe shtator të vitit të kaluar ne u përballëm me një sulm të rëndë kibernetik të ndërmarrë dhe të sponsorizuar nga struktura shtetërore të Republikës Islamike të Iranit.
Shqipëria në bashkëpunim të ngushtë me partnerët strategjikë dhe NATO-n, arriti ta ndërpresë dhe të rikuperohet nga ky sulm, si edhe ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Republikën Islamike të Iranit.
Qeveria shqiptare ka një plan ambicioz për forcimin e kapaciteteve digjitale dhe mbrojtëse kibernetike. Bashkëpunimi me NATO-n në këtë drejtim vlerësohet maksimalisht.
Si vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për në BE, Shqipëria përshëndet nënshkrimin e deklaratës së përbashkët të NATO-s me BE-në duke vlerësuar rolin e partneritetit strategjik të BE-së në mbrojtje të vlerave euro-atlantike.
Shqipëria do të vijojë të përmbushë të gjitha detyrimet në kuadër të mbrojtjes kolektive. Angazhimi dhe kontributet e Shqipërisë në NATO do të vijojnë të rriten.
Aktualisht jemi prezent në misionin KFOR, në Latvia dhe Bullgari, në kuadër të prezencës së përparuar”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje