Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, u shfaq i pakënaqur me mënyrën se si partitë politike i përcollën mesazhet këto zgjedhje.
“…14 maj është një sfidë, sfidë për ne, sfidë për institucionet shqiptare, sfidë për partitë politike dhe për vetë shoqërinë. Zgjedhjet, e kam përmendur në një deklaratë të mëparshme, nuk janë të partive politike, zgjedhjet janë të qytetarëve. Në fakt të gjithë kandidatët, partitë politike duhet të mos i shpërfillin qytetarët, siç ndodhi me shpërfilljen që i bënë Presidentit kur bëri thirrje që retorika që të përdorej gjatë zgjedhjeve të ishte një retorikë qytetare jo denigruese, jo armiqësore, të ishte një retorikë e cila të ishte e matur, e vetpërmbajtur që të kishte përplasje idesh, premtimesh, të mos të ishte me retorikë të panevojshme.
Natyrisht për mua sot, tre ditë para zgjedhjeve është me rëndësi që unë të bëj një thirrje për pjesëmarrje në zgjedhje. Pjesëmarrja në zgjedhje është një e drejtë kushtetuese, por është edhe një detyrim moral dhe qytetar. Detyrim për veten tonë, detyrim për kombin. Çdo qytetar duhet ta ushtrojë fuqishëm të drejtën e votës, fuqinë e votës, pushtetin e votës për të zgjedhur”, tha ai.
Administrata zgjedhore, gjithashtu, ka rëndësi sipas tij në këtë proces.
“Çdo institucion i përfshirë në administrimin zgjedhor, çdo faktor tjetër i rëndësishëm duhet të angazhohet që të realizojë të kemi zgjedhje transparente, të lira dhe të ndershme.
Ky në fakt nuk është kusht që na e vendos Bashkimi Evropian apo Polonia, ky është një detyrim që e kemi ndaj qytetarëve shqiptarë. Është një detyrim i cili ka të bëjë me një standard zgjedhor, i cili duhet të jetë ashtu siç duhet, të jetë i përsosur, të mos jetë një standard që është pak më i mirë se zgjedhjet e mëparshme.
Në këtë kuptim mendoj që nëse retorika e panevojshme e përdorur nga partitë politike vazhdon edhe pas procesit zgjedhor, ka një cenim të integritetit të këtyre zgjedhjeve, atëherë përgjegjësia do të jetë e institucioneve dhe e partive politike”, tha ai
Presidenti i Republikës foli edhe për marrëveshjen për Detin.
“…Unë kam një kërkesë nga ana e Ministrisë për Evropën dhe Punëve të Jashtme, e cila është e shoqëruar me një relacion shpjegues. Si President i Republikës në zbatim të detyrimeve kushtetuese, këtë kërkesë e vlerësoj me seriozitetin më maksimal dhe besoj që është një çështje që duhet të gjejë zgjidhje. Zgjidhja e saj është e bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010, në aktet e ligjet ndërkombëtare, në marrëveshjet ndërkombëtare, në ligjet e brendshme, por edhe në rregullat e fqinjësisë së mirë dhe të reciprocitetit. Greqia është një partner strategjik i yni, por është edhe një partner i rëndësishëm ekonomik…”, tha ai
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje