Politike

Begaj: Prishtina të dëgjojë SHBA për dialogun me Serbinë, për Belerin duhet të flasë drejtësia

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj nxiti zyrtarët në Kosovë që të ndjekin rekomandimet e dhëna nga Shtetet e Bashkuara për procesin e dialogut me Serbinë.

“Shqipëria dhe unë në fjalën time dje në OKB, mbështesim fuqimisht dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, dialog i cili është i lehtësuar nga Bashkimi Europian dhe i mbështetur fuqimisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që janë partneri dhe aleati ynë strategjik.

Ne nuk kemi nevojë për vetëizolim, ne kemi nevojë për miq, për mbështetje. Kështu që duhet patjetër që çdo rekomandim i dhënë nga aleati ynë strategjik duhet të dëgjohet. Duhet të dëgjohet më së tepërmi nga politikanët e Kosovës, ata të cilët janë vendimmarrësit për këtë gjë. Do të këshilloja që, të gjithë politikanët e Kosovës, të gjithë shqiptarët, duhet të kuptojnë që ne kemi vetëm një busull, ajo busull duhet të na orientojë drejt rrugëtimit euroatlantik”, tha Presidenti Begaj në një intervistë për Zërin e Amerikës

Sa i përket çështjes së arrestimit të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, që ka çuar në acarim të marrëdhënieve mes Tiranës dhe Athinës, Presidenti Begaj tha se duhet pritur vendimi i drejtësisë, duke shprehur besim tek pavarësia e saj. “Kur të flasë drejtësia, më pas ne mund të veprojmë”, u shpreh Presidenti Begaj.

Lidhur me marrëveshjen për kufirin detar me Greqinë, Presidenti Begaj tha se po vlerëson kërkesën e Ministrisë së Jashtme për autorizim për nisjen e negociatave dhe se një grup ekspertësh i Presidencës dhe kësaj ministrie po punojnë për të arritur një version të autorizimit në përputhje të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë