Një prej zërave ndërkombëtarë më të fortë kundër bojkotit të zgjedhjeve lokale të qershorit të kaluar në Shqipëri, sot i bëri thirrje opozitës në vendin e tij, Poloni, që të bojkotojë zgjedhjet presidenciale që zhvillohen më 10 maj.
Bëhet fjalë për ish-Presidentin e Këshillit të Bashkimit Europian, Donald Tusk, që në fillim të majit të vitit të kaluar ishte pjesë e një delegacioni zyrtarësh të Bashkimit Europian që telefonuan Lulzim Bashën duke i kërkuar që të hynte në zgjedhjet vendore, duke i garantuar se BE do të bënte gjithçka që të përmirësohej klima dhe standardet e zhvillimit të tyre.
Tani, vetë ish-Presidenti i Këshillit të BE-së bën thirrje për bojkot. Përmes një video-mesazhi, Tusk, që mban edhe postin e drejtuesit të Partive Popullore Europiane përpiqet që të shmangë vazhdimisht fjalën “zgjedhje”, pasi sipas tij vetëm zgjedhje nuk mund të quheshin.
“Këto nuk janë zgjedhje kushtetuese, sepse nuk do të jenë as të lira as të barabarta”, deklaroi Tusk.
Antikushtetueshmërinë e zgjedhjeve Tusk e lidh me ndryshimet në ligjin zgjedhor, të ndërmarra nga partia në pushtet e Presidentit aktual, Andrzej Duda. Donald Tusk thotë se ndryshimet nuk janë bërë 60 ditë para zhvillimit të zgjedhjeve dhe për këta arsye, zgjedhjet vetë janë jokushtetuese.
Mes ndryshimeve thelbësori është ai që rikthen votimin me postë në Poloni, që partia në pushtet e hoqi vetëm dy vite më parë duke deklaruar se kjo metodë rriste mundësitë e manipulimit të rezultatit.
Në krah të Tusk janë renditur edhe një sërë ekspertësh të së drejtës kushtetuese në Poloni. Ata thonë se nuk mund të garantohet fshehtësia e votimit, sepse zgjedhjet do të organizohen vetëm me rrugë postare dhe se dokumentet e votimit do të përmbajnë edhe të dhënat personale të votuesve.
Megjithatë, DW thotë se partia në pishtet (PiS) është e vendosur që ta çojë vendin në zgjedhje, duke shfrytëzuar faktin që aktualisht Andrzej Duda është favorit i qartë. Në fund të marsit, PiS arriti të marrë votat dhomës së parë të Parlamentit për mundësinë e votimit vetëm me rrugë postare pa marrë parasysh afatet ligjore.
Konstitucionalistët e shohin këtë si një shkelje të kushtetutës sepse, në bazë të ligjeve aktuale ndryshimi i së ligjit të votimit nuk mund të bëhet më vonë se 60 ditë para zgjedhjeve të planifikuara. Argumenti i qeverisë së drejtuar nga PiS është se votimi me postë zvogëlon rrezikun e infeksionit. Interesant është fakti se dy vjet më parë, PiS e hoqi mundësinë e votimit me rrugë postare me argumentin se rreziku i falsifikimit ishte shumë i madh.
Malgorzata Kidawa-Blonska, kandidate për presidente e koalicionit më të madh të partive opozitare, i quan planet e PiS për të organizuar zgjedhjet në mes të pandemisë ” çmenduri” dhe “një farsë që synon të legjitimojë planin e Jaroslaë Kaczynskit”. Këto “nuk janë zgjedhje, por shërbim postar” tha ajo duke deklaruar se nuk do të marrë pjesë në to. Donald Tusk shpreson se për shkak të rezistencës masive nga shoqëria situata do të ndryshojë dhe PiS mund të heqë dorë prej votimit në momentin e fundit.
Edhe OSBE/ODIHR është shprehur në një gjuhë të moderuar kundër mbajtjes së zgjedhjeve. Në një raport të botuar të hënën (27 prill) theksohet se votimi me rrugë postare “mund të dëmtojë themelet e rëndësishme të zgjedhjeve demokratike”. Organizimi afatshkurtër i një votimi përmes postës nënkupton që kompetencat e komisionit shtetëror të zgjedhjeve t’i transferohen qeverisë. Dhe qeveria nuk ka përvojë me organizimin e zgjedhjeve. Kjo gjithashtu çon në vënien në dyshim të “pavarësisë së komisionit zgjedhor” gjë që është “në kundërshtim me praktikën e mirë zgjedhore”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje