Politike

Berisha: 11 shkurti, protesta më e fuqishme që ka parë Tirana

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ftoi të hënën qytetarët që t’i bashkohen protestës së 11 shkurtit.  

“…Jam këtu sot përsëri për të ftuar qytetarët shqiptarë të flasin me gjuhën e tyre më datën 11 shkurt në ora 12.

Shqiptarët kudo që janë, janë të ftuar të vërshojnë drejt Tiranës.

Shqipëria po zien këdo ditë si kurrë më parë. 11 shkurti do jetë dita e protestës më të fuqishme që ka parë Tirana dhe më të madhe që është bërë ndonjëherë.

Ndaj ftesa ime për shqiptarët është: të gjithë në protestë, për të ngritur zërin tonë kundër një regjimi të kalbur, për të larguar nga pushteti, një njeri që mund t’i vësh çdo epitet sot…”, tha Berisha

Protesta e opozitës kësaj here lidhet me akt-akuzën e ish-agjentit të arrestuar të FBI-së, Charles McGonigal.

PD pretendon se kryeministri Edi Ramas ka korruptuar agjentin e FBI-së për të dëmtuar opozitën.

“Dënoj përpjekjen e Edi Ramës për të fshehur të vërtetat e hidhura, për të mos thënë edhe kriminale, të bashkëpunimit McGonigal-Edi Rama.

Në dosjen shqiptare gjithçka ekziston ka vetëm një emër, Edi Rama, këshilltari i tij privat Duçka dhe miku i tij, Agron Neza.

Pra, gjithçka është një dosje e tërë në të cilën lakohet emri i Edi Ramës 14 herë, dhe personat A dhe B, po kaq herë…

Faqja më e zezë e dosjes McGonigal, mbetet skenari i shkatërrimit të opozitës dhe pluralizmit në Shqipëri.

Skenar, i cili u zhvillua në tre etapa: e para, në zyrat e McGonigal kundër Nick Muzin, që u kurorëzoi në ndjekjen penale të Lulzim Bashës dhe mbylljes së dosjes dhe marrjes peng të Bashës.

Etapa e dytë ishte sanksionimi i Sali Berishës, pasi ai nuk do pranonte kurrë që PD të bashkëqeveriste me Edi Ramën.

Etapa e dytë e skenarit, pavarësisht se kishte apo jo, përfshihej apo jo në këtë aferë McGonigal, duhet të them se Yuri Kim, luajti rolin, duke shkelur çdo parim, çdo ligj dhe Kushtetutë, luajti rolin e McGonigal për shkatërrimin e opozitës shqiptare dhe këtë e panë të gjithë shqiptarët.

Etapa e tretë, Edi Rama në mënyrën më kriminale nuk ndalon në veprën e tij makabër për të qeverisur pa opozitë, për të konsoliduar monizmin e tij, do të përjashtojë nga zgjedhjet e 14 majit, PD-në.

Por kjo dëshirë e tij merr fund, kjo ëndërr e tij bëhet pluhur”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë