Politike

Berisha: 2022, viti i opozitës. Rama përdori çdo mjet ta gjunjëzojë

Në mbyllje të vitit, kryetari i PD-së, Sali Berisha, tha përmes konferencës për shtyp se 2022-i ishte viti i opozitës shqiptare

”Nuk mund të mbyllja vitin pa paraqitur një bilanc të vitit që lëmë pas në vlerësimin e PD-së dhe timin.

Në këtë kontekst, viti 2022 do të skalitet në muret e kohës si viti i opozitës shqiptare.

Do skalitet si viti i opozitës shqiptare sepse ndaj përpjekjeve të jashtëzakonshme të popullit opozitar, të PD-së, për qëndruar si opozitë e vërtetë u përdorën të gjitha mjetet e paligjshme kundër kësaj opozite, me qëllimin e vetëm, që ta mbanin atë një parti simotër të krimit në pushtet.

Edi Rama dhe qeveria e tij përdori çdo mjet, çdo institucion, përdori policinë, shërbimin informativ, drejtësinë, me qëllimin e vetëm që të gjunjëzonte opozitën.

Përdori bandat, përdori forma nga më të turpshme të korrupsionit, gjer dhe sulmet fizike të paprecedentë në historinë e këtij vendi, me qëllimin më ogurzi të zhdukjes së opozitës”.

Berisha lëshoi kritika edhe ndaj ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim.  

“Në këtë përpjekje, do të nxijë në historinë e turpit, qëndrimi i ambasadores së SHBA, e cila, pasi në një akt madhor korruptiv, kishte mashtruar qeverinë e saj për korrupsionin imagjinar të Sali Berishës, bëri gjithçka që t’i diktojë opozitës, kryetarin e saj.

Përdori, abuzoi dhe shpërdoroi, duke shkelur çdo ligj të këtij vendi dhe vendit të vet, çdo konventë ndërkombëtare, çdo parim.

Përdori fuqinë e vendit të saj, për t’i diktuar opozitën kryetarin. Por ky është viti i opozitës, sepse asgjë nuk mposhti dot idealet e demokratëve.

Ata u ngritën fuqishëm kundër armikut të egër të votës së lirë, armikut të egër të PD-së, u ngritën kundër atyre që përdorën korrupsionin për të luftuar anti-korrupsionin në Shqipëri, që përdorën krimin e organizuar për të luftuar antikrimin në Shqipëri.

Pavarësisht se ata përfaqësonin shtetet më të admiruara nga shqiptarët, SHBA dhe Britaninë. Opozitarët shqiptarë qëndruan dhe këtë vit u faktuan kombit dhe botës se Shqipëria ka një opozitë më të fuqishme se kurrë, më të vërtetë se kurrë”, tha ai.

Sa i përket qeverisjes, Berisha tha se ky ishte viti i varfërimit për shqiptarët.

“Viti 2022 ishte viti i varfërimit më të shpejtë, të lemeritshëm të shqiptarëve.

Ky varfërim ishte kryekëput i diktuar nga shpërdorimi dhe vjedhja e qeveritarëve.

Bordet komuniste të Edi Ramës u shndërruan në leva të vjedhjes së parave në portofolet e xhepat e qytetarëve përmes çmimeve që përcaktonin në interes të qeverisë dhe oligarkëve.

Punët publike në këtë vend realizohen me një kosto 8 herë më të lartë se mesatarja në vendet evropiane.

Vjedhja kulmohet me rrëmbimin nga Rama dhe klani i tij, bashkë me arabin e vet, të pasurisë publike numër një të shqiptarëve, Portit të Durrësit.

Shqiptarët përjetuan vitin e vjedhjeve më të mëdha dhe dalin prej këtij viti si kombi më i vjedhur i planetit.

Viti që lamë pas ishte vit i një gjenocidi të vërtetë, i një spastrimi të llogaritur etnik të shqiptarëve. Çdo largim i njerëzve nga vendi, që ka në bazë kushtet e kalkulueshme për largimin e tyre, përbën veprim gjenocidal.

Shqiptarët për herë të parë në historinë e tyre u bënë popull i varkave. Skenat e La Manshit, që mbartin në vetvete potencialet tragjike të mëdha, shokuan jo vetëm Britaninë e Madhe, por mbarë Europën…”, tha ai. Viti që lamë pas, sipas tij, është edhe “viti i shkatërrimit përfundimtar të sistemit të drejtësisë’

“Ky ishte një vit i ngarkuar. Po kështu ky ishte viti i 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-amerikane.

Nuk kishte kremtim më të padenjë se ai që organizoi guvernatorja Kim për 100-vjetorin.

Ajo për një vit me radhë mbajti flamurin e cancel kulture. Falsifikoi në mënyrën më të paskrupullt 100-vjetorin e marrëdhënieve të shqiptarëve me vendin që ata adhurojnë më shumë.

Arriti deri aty sa barazoi veten me Lindita Nikollën në vështrimin e saj të historisë.

Nxorën figura të inkriminuara këmbë e krye si Taulant Balla si kremtues.

U përpoq të manipulonte me çdo mënyrë vizitat e ish-personaliteteve, por që dështoi.

Së fundmi, porositi një dokumentar të tipit socialist, të realizimit socialist, ku marrëdhëniet mes dy vendeve ndërpriteshin në vitin 1991. E kuptoni vetë.

Ata që bëjnë betejë me historinë, e kanë një vend në histori”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë