Politike

Berisha: Afera e Portit të Durrësit defaktorizon Shqipërinë. Rama përvetëson 3 mld euro

Sali Berisha akuzon se Porti i Durrësit është afera më e madhe korruptive, jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë Europën dhe sipas tij, kjo aferë do të ngarkojë qytetarët shqiptarë me një barrë që shkon disa miliarda euro.

“Dëmi është i pallogaritshëm, sepse me këtë lëvizje, takspaguesit shqiptarë gjobiten dhe së paku 1 mld euro që sipas Edi Ramës do të përdoren për ndërtimin e portit të ri të mallrave në Porto Romano. Po të kemi parasysh, që ky ndërtim do një dekadë, po të kemi parasysh spostimin e Portit të Vlorës, kostoja e transportit të mallrave në Shqipëri do të rritet në mënyrë të ndjeshme në krahasim me Portin e Tivarit në Mal të Zi. Kjo është një gjobë e re për taksapaguesit shqiptarë”, tha ai.

Berisha doli me një deklaratë për mediat. Ai tha se të gjitha këto lëvizje të Edi Ramës synojnë defaktorizimin e Shqipërisë nga roli strategjik që ka për BE-në në transportin e mallrave përmes rrugëve detare.

“Në këtë aferë me pasoja të rënda strategjike për vendin, që synojnë defaktorizimin strategjik të Shqipërisë dhe rolit të saj në rajon dhe në Bashkimin Europian, Edi Rama parashikon me makinerinë e mashtrimit të tij investime rreth 2 mld euro në atë që quhet marinë turistike”, u shpreh Berisha.

Sipas Berishës, e njëjta skemë mashtrimi është përdorur në Beograd.

“Njeriu që ka marrë përsipër të bëjë këtë investim ka pasur një zotim për investim për 4 mld euro buzë Savës në Beograd dhe ka përfunduar në një investim prej 20 mln eurosh. Atje prapa këtij qëndron Aleksandër Vuçiç, këtu qëndron vasali Edi Rama”, u shpreh kreu i PD-së.

De facto, vijoi Berisha, Rama po shndërron Portin e Durrësit në Dubain e familjes së tij.

“Informoj qytetarët shqiptarë se nga ky vendim korruptiv antiligjor i Edi Ramës, Rama dhe kompania e tij përvetësoi mbi 1 mln metër katrorë truall për ndërtime, baraz me rreth 3 mld euro”, thotë Berisha.

Në fund, një thirrje për investitorin arab, Alabar dhe një tjetër për Bashkimin Europian.

“I kërkoj Alabarit të heqë dorë dhe të mos keqpërdoret nga Kryeministri më i korruptuar i të gjitha kohërave i Shqipërisë. BE të përdorë të gjithë autoritetin e vet për të ndaluar këtë aferë korruptive. Të nisë një hetim rreth aferës korruptive të Portit të Durrësit dhe të bëjë gjithçka që ky port të mbetet port strategjik kryesor i Shqipërisë, i rajonit dhe i BE”, mbylli deklaratën e tij Sali Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë