Sali Berisha ka zbardhur ‘prapaskenat’ e arratisjes sipas tij të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj nga vendi, ndërkohë që SPAK kërkon arrestimin e tij.
Sipas tij, Rama duhet të thirret në mocion me debat në Kuvend ku duhet të japë llogari për këtë ngjarje. Berisha tha se Ahmetaj u largua nga Kakavija, ndërsa shtoi se po negocion me Ramën.
“Java kishte si ngjarjen më të jashtëzakonshme, arratisjen e Arben Ahmetajt. Arratiset njeriu që nga viti 2013, për të paktën tetë vite ose nëntë vite, ishte superministri, por edhe zëvendëskryeministri për një periudhë të tërë, i qeverisë së Edi Ramës. Arratisja e tij tregon më mirë se çdo gjë tjetër, moralin e ulët, standardet më të ulëta morale të kësaj bande, kësaj organizate kriminale që është në pushtet. Prokuroria speciale, në të gjitha ato akuzat që ka renditur, ose të paktën që janë bërë publike, mendoj se ato janë plotësisht të drejta, por ajo është treguar shumë e kursyer. E kursyer sepse Arben Ahmetaj, pas Edi Ramës dhe Engjëll Agaçit, të cilët janë në binom, sepse Sekretari i Përgjithshëm nuk ka fuqinë, por te Edi Rama janë binom i pandarë, Arben Ahmetaj është truri, është njeriu më kryesor pas atyre në aferën e korrupsionit. Ai është hajduti më i specializuar për të vjedhur shtetin në historinë e shtetit shqiptar. Më i madhi është Edi Rama, por aftësitë e tij profesionale si hajdut janë të pakufishme dhe kjo është absolutisht e njohur”, tha Berisha.
Në mbledhje me deputetët e tij para seancës parlamentare, Berisha tha se askush nuk mund të lajë duart, aq më pak Arben Ahmetaj që çau dhe ia mbathi. “4 orë para se shkresa të dilte nga Prokuroria u informua Ahmetaj dhe u gjet në Kakavijë dhe u vërsul atij. Preu biletë për në Itali, për të dezinformuar dhe ia mbathi në Kakavijë. Thuhet se po negocion me Ramën. Arratisja e tij i ka dhënë një goditje të tmerrshme kësaj organizate kriminale”, tha Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje