Politike

Berisha akuzon Bashën se fshihet pas kompanive të basteve: Protesta më të fuqishme se 8 janari. Reagon PD

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka shtuar akuzat ndaj Lulzim Bashës njeriun të cilin vetëm pak muaj më parë e mbështeste publikisht madje edhe në garën e fundit për kryetar.

Në një takim të zhvilluar me demokratët e Lezhës, Berisha foli për protestën e 8 janarit, shtoi akuzat ndaj familjes së Bashës dhe tha se beteja për selinë do të vijojë, teksa përmendi edhe projektin më të fundit për ndërtimin e kullave në hapësirën ku ndodhet ndërtesa e PD   

“Qëllimi ynë më 8 janar ishte që të nxirrnim kriminelët nga shtëpia. Natyrisht ta nxirrnim nga zyra pengun e turpshëm, njeriun më të degraduar në historinë politike shqiptare.

Këto ditë doli se gjithë ai sulm ndaj selisë, ndaj demokratëve, gjithë ato mijëra bombola gazi e helmesh toksike, pluhurash toksike, të përgatitura nga trafikantë dhe vrasës në seli, kishin si qëllim, përsëri vjedhjen, vjedhjen dhe vetëm vjedhjen. Mos e harroni këtë.

Doli parku i katër hajdutëve, që duhej ndërtuar te selia e PD-së. Hajdut Ramës, hajdut Bravës, hajdut Fushës dhe hajdut Velisë. Parkun e kishin emëruar si parku i katër lirive, kur ai ishte parku i katër hajdutëve. Ky është shkaku pse Edi Rama kërkon të mbajë peng shtëpinë tonë, shtëpinë e lirisë, shtëpinë e demokratëve,” tha Berisha.

“Duhet të jemi të gatshëm për protesta më të fuqishme se ajo e 8 janarit. Axhenda jonë është liria dhe vetëm liria,” vijoi ai.

“Ka sot një angazhim total të Beogradit kundër shqiptarëve. Ballkani i Hapur është nga Alfa te Omega një projekt kundër shqiptarëve. Shihni studiot televizive, përfaqësuesit e Beogradit nga Tirana në Prishtinë se si përfaqësojnë.

Kur ndodhi vrasja në Bllok, Edi Rama vendos ndalimin e basteve. Të kujt ishin bastet? Ishin të Lul Bravës.

Lul Brava i dërgon të dërguarin e tij special, Dushanin në Prishtinë, i tha hajde me vrap dhe më zgjidh problemin.

Absolutisht. Ua ka thënë Edi Rama direkt, dy personave. U thotë se në Qipro, 80 përqind pronar i kompanisë ishte Lulzim Basha me emrin e të shoqes.

Pra, e kuptoni ne se ku kemi qenë ne? Se kush na ka drejtuar?” tha Berisha.

Ndaj akuzave të Berishës ka reaguar edhe PD-ja zyrtarisht.

“I braktisur nga demokratët, me hallin qe sa vjen dhe i rritet, Sali Berisha vjen vërdallë nëpër Shqipëri duke treguar gënjeshtra. Demokratët dhe Shqiptarët e panë me 8 janar fytyrën e vërtetë të Sali Berishës, urdhëruesit të dhunës mbi PD. Demokratët dhe Shqiptarët nuk kanë kohë për të humbur me një mashtrues kronik. Demokratët kanë zgjedhur të ardhmen, shqiptarët duan dhe meritojnë një jetë më të mirë”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë