Politike

Berisha: Amnistia fiskale kërcënon integrimin! Me PD në pushtet, përfituesit e saj do vihen para ligjit

Sali Berisha deklaron se me projektin për amnistinë fiskale, Edi Rama po rrezikon integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, ndërsa i bëri thirrje Brukselit dhe vendeve anëtare të unionit, që të këmbëngulin deri në fund kundër këtij projektligji.

Sipas Berishës, projektligji tregon lidhjet e errta të Edi Ramës me botën e krimit.

“Edi Rama duhet të kuptojë se problemi më madhor që vendet anëtare të BE dhe partnerët tanë kanë më Shqipërinë është kriminaliteti shqiptar dhe eksportimi i tij në vendet e tjera. Legalizimi i parave të krimit të shqiptarëve është mesazhi më i keq që u dërgohet këtyre vendeve dhe inkurajim i madh për organizatat kriminale shqiptare”, deklaroi Berisha.

Ish-Kryeministri tha se me të ardhur në pushtet PD do ta cilësojë nul këtë amnisti dhe do të vendosë para ligjit të gjithë përfituesit e saj.

“PD zotohet se me të ardhur në pushtet, ajo do invalidojë këtë amnisti dhe do vendosë para ligjit të gjithë personave që kanë përfituar nga kjo amnisti, duke yu kërkuar burimin e të ardhurave. Emrat e këtyre personave do u jepen organeve fiskale dhe penale jashtë për t’i përndjekur nëse kanë veprimtari atje”, u shpreh ai.

Berisha ftoi qeveritë e vendeve anëtare të BE që të këmbëngulin deri në fund kundër kësaj amnistie.

“Nga ana tjetër u bëj thirrje vendeve anëtare që të insistojë deri në fund kundër miratimit të këtij ligji që dëshmon lidhjet e tmerrshme të regjimit të Edi Ramës me organizatat kriminale brenda dhe jashtë vendit. Edhe njëherë shpreh mirënjohjen time të thellë ndaj BE-së dhe vendeve anëtare dhe e konsideroj turp qëndrimin bukëshkalë të Edi Ramës”, tha Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë