Politike

Berisha apo Alibeaj? Debati zhvendoset në KQZ për komisionerët e 14 majit  

Sali Berisha dorëzoi të premten në KQZ listën e emrave të anëtarëve të KZAZ në funksion të zgjedhjeve të 14 majit.

PD njoftoi zyrtarisht se lista me emrat e anëtarëve të KZAZ-ve është firmosur nga Flamur Noka.   

Ende në anën tjetër Enkelejd Alibeaj nuk ka depozituar listë.  

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se pret propozime për anëtarë dhe kryetarë të 92 komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor nga të gjitha subjektet politike.

Debati në këtë rast për PD është se kë do të regjistroje KQZ si listë zyrtare.

“Organin që drejton një parti nuk e vendos KQZ. Deri në momentin që flasim, përfaqësues i PD në KQZ është Marash Logu dhe Indrit Sefa. Kemi komunikime të karakterit profesional qoftë me Ivi Kason dhe përfaqësues të tjerë të PD. Ne do të vlerësojmë legjitimitetin e atij që përcjell dokumentacion në KQZ, është apo nuk është ky person me tagër për të sjellë në emër të PD-së kërkesa të ndryshme, propozime. Autorizimi që ata kanë është në përputhje me parashikimet e Kodit Zgjedhor. Ky legjitimitet është i verifikueshëm nga dokumentacioni që KQZ merr nga Gjykata e Tiranës”, tha pak ditë më parë Celibashi.

Që do të thotë, sipas të gjitha gjasave, që Celibashi t’i drejtohet gjykatës së Tiranës për të zgjidhur ngërçin, pra cilën listë duhet të pranojë nga PD.

Deri më tani, në gjykatën e Tiranës rezulton ende kryetar Lulzim Basha edhe pse i dorëhequr, por e padepozituar si vendim.

Për të shmangur debatin, Apeli duhet të vendosë se kujt i përket vula  deri më 6 mars kur është edhe afati i fundit për regjistrimin zyrtar të partive politike në KQZ për garën elektorale të 14 majit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë