Politike

Berisha: Basha do të nxirret të shtunën nga zyra, do përdoren mjete teknike paqësore, mercenarët të largohen (Video)

Ku është i zoti i lokalit, kafe mercenarëve të Bashës mos iu servirni, u thoni s’keni punë këtu. Nuk është puna t’i diskriminojmë, por të shkojnë në shtëpitë e tyre, janë në mision të gabuar, misioni ynë ka qëllim t’i shërbejë qytetarëve”, tha Berisha teksa pas një paralajmërimi  të fortë për atë që do të ndodhe të shtunën u ul të pijë një kafe në oborrin e PD me gazetarë e anëtarë të Komisionit të Rithemelimit.

Po me ironi, Berisha tha duke qeshur: “raki në orar të punës në asnjë mënyrë, se trembet Gazi”.

Më herët, Berisha shkoi pranë selisë (po pa provuar dyert) për të dhënë një deklarate për mediat dhe njoftuar se të shtunën në mesditë demokratët do të futen në zyrat e PD-së dhe do të nxjerrin jashtë Lulzim Bashën në rrugë paqësore

A do të ketë përplasje fizike?

“Se ku do të jetë peng Basha më 8 janar është punë e tij. Një gjë është e sigurt, ne nuk futemi në ndërtesë për të dhunuar asnjë njeri, përveçse paralajmëroj mercenarët që është mirë të dalin nga ndërtesa…Protesta nis nesër në orën 12:00, realizon qëllimet dhe ky revolucion paqësor nuk ndalet”.

Por nëse nuk arrini ta nxirrni zotin Basha do të thotë që keni dështuar? U pyet nga media

“Kush tha? Atë se thotë as ai vetë, ai e di që do të nxirret nesër. Ndaj bunkerit përdoren mjete teknike paqësore. Nuk do e gjuaj kush me mjete luftarake. Midis nesh nuk ka e nuk do të ketë kurrë njerëz të armatosur”, u përgjigj Berisha.

Nëse Basha refuzon të dalë nga zyra?

“Me pekule, me pekule do e nxjerrim…”, u përgjigj Berisha

“Unë me këtë rast dua të sqaroj çdo qytetar të këtij vendi, çdo demokrat, se qëndrimi ynë nuk ka të bëjë më një zyrë, me një tryezë por ka të bëjë me zbatimin e parimit më themelor mbi të cilën ndërtohen organizatat e lira, ndërtohen shoqëritë e lira, vendet e lira. Ka të bëjë me atë parim sipas të cili shumica vendos pakica respektohet. Në qëndrimin e deputetit Basha del e qartë se ai si pakicë kërkon të dhunojë shumicën, kërkon të konfiskojë ndërtesën e saj shtëpinë e demokratëve duke e trajtuar sikur ta ketë pronë personale.

Kemi të bëjmë me një parim themelor të demokracisë. Me një përpjekje të jashtëzakonshme por edhe tejet kriminale për asgjesmin e pluralizmit politik për të mbrojtur individë që s’ kanë asnjë lloj morali politik apo njerëzor. Ftoj sot të gjithë anëtarët e PD, 44 mijë anëtare të PD, por edhe gjithë të tjerët, të gjithë ata që firmosën në liri të plotë shkarkimin e ish kryetarit të tyre për dhunimin flagrant të statutit të parimeve, dhe të cdo lloj norme tjetër demokratike në PD”

Më tej ai shtoi:

“Ftoj të gjithë anëtaret e PD, të bashkohen për të marrë në dorëzim shtëpinë e tyre, për ta shndërruar në shtëpi lirie, në një protestë paqësore, një ngjarje madhore të revolucionit tonë paqësor.

Garantoj të gjithë punonjësit se protestuesit nuk kanë as edhe hatërmbetjen më të vogël ndaj tyre, të qëndrojnë të qetë, problemi i vetëm është hapja e dyerve të kësaj shtëpie dhe çlirimi i saj nga peng Basha. Nesër ftoj të gjithë deputetët e PD, të jenë këtu me anëtarët e tyre dhe mos qëndrojnë asnjë minutë me një njeri që partinë që ata i besuan, partinë për të cilën ata investuan kapitalin e tyre, i bëri ata deputetë i lartësoi në nivelin më të lartë politikë, në një parti blindesh burgu e bravash”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë