Politike

Berisha fajëson Bashën, akuzon Kim, paralajmëron DASH

Ish-kryeministri Sali Berisha ka mbajtur fjalën në Kuvendin Kombëtar të PD të thirrur prej tij më 11 dhjetor teksa e ka quajtur atë “monument i rithemelimit të PD-së”, ku shumicën e fjalës e kishte për Lulzim Bashën dhe vendimin që DASH ka marrë ndaj tij për shpalljen “non grata”

Duke drejtuar gishtin e përgjegjësisë tek kryetari Lulzim Basha për gjendjen ku PD ndodhet sot sipas tij, “para alternativës të jesh a të mos jesh”, Berisha tha se kryedemokrati “nuk lëvizi asnjë gjethe për t’i vënë kufirin tek thana Edi Ramës’. Basha i nisi akuza për Bashën që në kohën kur ky i fundit ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës, duke u fokusuar më së shumti aty, dhe duke përgjithësuar gjithë aksionin politik të Bashës në kohen kur ky i fundit e zëvendësoi në krye të partisë.

Fjalimi i Berishës u shoqërua më shumë nga akuza, pa ndonjë thelb të rëndësishëm të mesazhit politik.   

“Lulzim Basha në 8 vite defakto u faktua vetë si një kallp opozitar. Ai nisi drejtimin e partisë, duke u përkulur në kundërshtim me ligjet, Kushtetutën, fuqinë e forcës që drejtonte, para regjimit të Edi Ramës.

Dy vite pasi dorëzuam pushtetin Rama i bllokoi çdo projekt të madh Bashkisë Tiranë.

Duke disponuar bashkinë më të madhe të vendit kryetari ynë nuk lëvizi një gjethe në protesta të fuqishme në Tiranë dhe t’i vinte Edi Ramës kufirin tek thana, të qëndronte i pamposhtur për vete, për ju, për qytetarët e Tiranës.

Zinxhiri i gabimeve të tij erdhi gjithnjë duke u trashur. Çdo nismë që nisi e ndërpreu me urdhër të kujt, askush s’e di. Çdo protestë që nisi nuk e sosi kurrë me sukses.

Bëri prita politike kundër bashkëpunëtorëve të tij, personaliteteve me kontribute historike në partinë e tij. Në 8 vite bëri gjithcka për të ndërtuar monumentin e fashizmit, por në fakt ndërtoi monumentin e hiçit”, tha Berisha.

Gjatë fjalimit në Kuvendin e Rithemelimit të PD, Sali Berisha u ndal edhe te vendimi i DASH për të.

“Ne jemi dhe mbetemi parti e vokacionit perëndimor të kombit shqiptar, e parashikuar kjo në doktrinën e rilindësve tanë dhe e ushtruar nga zemrat dhe mendjet e rinisë shqiptare në vitin 1990. Shqipëria në Europë mbetet objektivi më madhor i programit tonë.

Ne u përballëm me një ndërhyrje brutale të diplomatëve dhe zyrtarëve nga një vend mik, SHBA. U them këtyre zyrtarëve se ne jemi një komb i vjetër. Në historinë tanë, pakkush më shumë se ne, ka pasur të bëjë me superfuqitë e kohërave nga lashtësia deri më sot.

Bashkimi Sovjetik, ashtu siç e cilësoi në mënyrë gjeniale presidenti Regan, ishte Perandoria e të Keqes. E kundërta e tij janë SHBA, Perandoria e Lirisë dhe e Vlerave. Vendi i madh i lirisë ka bërë për lirinë e shqiptarëve më shumë se çdo vend tjetër në botë.

Është e dhimbshme të shohësh ambasadoren e SHBA të sillet si guvernatore, njëlloj si dikur ambasadori sovjetik në Tiranë. Perandoritë ndryshojnë si nata me ditën, por burokratët dhe njerëzit ndonjëherë këtë. Presidenti i SHBA, në dekretin e tij, dekreton në këtë vend, një përfaqësuese të vlerave të kombit të tij të madh.

Por çfarë ndodh në këto vite? E paimagjinueshme. Në kulmin e mbulimit me drogë të Shqipërisë, me pjesëmarrjen e policisë, përfaqësuesi i vendit të madh të lirisë përgëzon policinë për luftën e suksesshme kundër drogës. Në kulmin e korrupsionit, përfaqësuesi i vendit të madh mban ligjërata të tëra në mbështetje të narko-qeverisë dhe sulmon nga mëngjesi deri në darkë opozitën.

A nuk janë standardet më të dyfishta? A vijnë këto nga shteti ligjor i SHBA dhe vendi i lirisë? Jo, këto vijnë nga mafia e George Soros. Edhe më keq akoma, një ditë në maj të këtij viti, Departamenti i Shtetit shpall ‘non grata’ Sali Berishën, tetë vite pasi kishte dhënë dorëheqje, njeriu që ishte lavdëruar më shumë se kushdo tjetër nga SHBA për luftën kundër korrupsionit. Njeriun që nuk kishte asnjë akuzë ndaj tij apo familjes së tij për korrupsion. Njeriun që kishte bërë gjithçka kundër krimit dhe korrupsionit në opozitë. Shpall ‘non grata’ një njeri, që 31 vite më parë, nën drejtimin e kësaj partie, kishte përmbysur diktaturën më staliniste në Europë,” tha Berisha.

Një kërkesë ai e kishte edhe për DASH.

“Ftoj këdo që ka edhe një provë të vetme, ta paraqesë publikisht dhe Sali Berisha merr vendimin e duhur.

Beteja ime për dinjitet nuk do ndalet kurrë. Ftojë zyrtarët e DASH të rishqyrtojnë vendimin e tyre, sepse arroganca dhe gabimi nuk janë virtyte të njerëzve të lirë.

Unë do të vazhdoj i palëkundur misionin tim së bashku me ju, për të përmbysur narkoshtetin në Shqipëri.

Do të vazhdoj misionin me ju për të rikthyer në pushtet PD-në, si një parti e vlerave të lirisë, si parti që në epiqendër ka qytetarin dhe interesat e tij. Si parti që do integrojë Shqipërinë në BE. Ne nuk do të lejojmë kurrë që Shqipëria të bjerë në zona të tjera influence përveç aleancës euroatlantike.

Do rithemelojmë PD-në si një parti që do shndërrojë Shqipërinë në vendin e shpresës, në vendin e bekuar, në vendin ku shqiptarët do ndërtojnë të ardhmen dhe do i jepet fund spastrimit etnik të Çubrilloviçit shqipfolës, Edi Rama. PD do u japë fund hegjemonisë së Beogradit në Shqipëri dhe Ballkan.

Paralajmëroj Sllobodanin e ri se për Ballkanin e Hapur, mos mendon të vish në Tiranë. Sheshet e rrugës do i kesh plot kundër teje,” tha Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë