Në një bashkëbisedim me ndjekësit në Facebook, Sali Berisha ka deklaruar se qeveria e Edi Ramës nuk ka legjitimitet.
“Kjo qeveri u votua mbi sistemin e patronazhistëve dhe makinerinë e grabitjes së votës.
Qëllimi numër një është rikthimi i të drejtës së shqiptarëve për të votuar si qytetarë të lirë.
Unë ju garantoj se do bëhet gjithçka për t’i shkurtuar jetën qeverisë së Edi Ramës dhe që qytetarët të votojnë të lirë.
Edhe në këtë fushatë, Rama po shkel çdo rregull dhe parim të zgjedhjeve të lira dhe të barabarta. Në fund, fatura do i shkojë vetëm atij. Ne do fitojmë!”, tha Berisha. Më tej ai foli për “rikthimin e tretë në qeveri”
“Rikthimi i tretë i Sali Berishës në qeverisje do jetë më i suksesshmi. Do e krahasoj edhe njëherë me Steve Jobs, i cili pasi e larguan nga ndërmarrja e tij, u rikthye dhe i bëri botës iPod, iPad dhe iPhone. Një rikthim i tretë do ketë momente kulmore, gjithçka në interes të shqiptarëve. Ne arritëm me ato reforma ekonomike që ju thoni, të kalojmë nga grupi i vendeve me të ardhura të ulëta, në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta. Arritëm të jemi njerëzit më të paguar në Ballkan, madje më të paguar se bullgarët dhe rumunët. Objektivi ynë ishte të kapnim sllovenët se ata janë me rroga më afër me vendet e 15-shes së BE.
Ku e bazoja unë këtë objektiv?
Asnjë vend në Ballkan, as Sllovenia, as Serbia, nuk ka pasuri përrallore të Shqipërisë. Në këtë kontekst, është në detyrën e një qeverie që këto pasuri t’i kthejë një mirësi, në mirëqenie, në rroga, në pensione, begati dhe progres të qytetarëve.
Kështu që unë mbetem i sigurt në realizimin e këtyre objektivave”, tha ai.
Berisha nuk la pa atakuar edhe ambasadoren amerikane në Tiranë.
“…Unë kam zgjedhur të mbroj interesat e publikut shqiptar duke e denoncuar atë në çdo rast. I kam bërë thirrje inspektorit të përgjithshëm të DASH, Kongresit të SHBA, FBI, të hetojë aferat korruptive, përfshirë pronat e saj në Shqipëri.
I garantoj se PD është e gatshme të ndihmojë në transparencën e këtij hetimi”, tha ai. Dhe po aq sulmoi edhe kandidatët e Alibeajt në zgjedhje. Sipas tij, çdo emër i zyrtarizuar nga Alibeaj punon për PS. “Çdo kandidat përveç Belind Këlliçit, është kandidat i Edi Ramës…
Të gjithë kandidatët e Alibashës dhe Bravës janë vetëm paterica të Erion Veliajt.
Janë njerëz që kanë kaluar në krah, në sqetullat e Edi Ramës, nuk kanë asgjë të përbashkët me të djathtën.
Nuk besoj kurrë se e djathta mund të bëhet me njerëz si Alibasha dhe Lulzim Brava, të cilët janë pengje në lidhje krimi të Edi Ramës”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje