Politike

Berisha: Grupi ‘Alibeaj’ i ka dyert e hapura edhe për fraksion (ndërsa aleatët puntojnë tek emri i kandidatit)

Kryetari i PD-së, Sali Berisha tha se ai është për një bashkim të plotë të partisë kur u pyet për negociatat  Bardhi- Paloka. Rruga drejt saj, sipas tij, mund të jetë e ndryshme, sa kohe që statuti i miratuar nga “Rithemelimi” njeh edhe fraksionin.  

“Unë jam për një bashkim të plotë të PD-së.

Ky grup i ka të hapura dyert, si për bashkim të plotë, si për fraksion. Ne kemi një nen, nenin që i lejon fraksionet. Nëse ky grup vendos të krijojë fraksion, nuk më merr leje mua, e ka statuti, e ka votuar kuvendi i PD.

E them këtë për të qartësuar se rrugët janë plotësisht të hapura. Ka mendime të hapura se çfarë do zgjedhin dhe si do zgjedhin”, tha Berisha. Sa i përket marrëdhënieve me PL-në, Berisha ishte në një linjë me Ilir Metën kur ky i fundit tha me herët se marrëveshja mes dy partive ka përfunduar.  

“Marrëveshja për mua është e përfunduar, ne do mbështesim çdo kandidat që do  konfirmojë PD. E vërteta dhe e vetmja, për mënyrë si do përzgjidhet përgjegjësia i takon Berishës. Për ne e rëndësishëm është fitorja kundër bandës së Ramës. Ne jemi të qartë, do synojmë maksimumin në këshillat bashkiak. Nuk do ketë asnjë kandidat nga PL që sfidon ata të PD”, tha Meta.

Pavarësisht dëshirës për bashkim nga të gjitha anët ajo që mbetet ende pikëpyetja më e madhe është mekanizimi që do të ndiqet për nxjerrjen ne emrit. PD pretendon me primare, grupi “Alibeaj” e kërkon me negociata, ndërsa edhe vete aleatët e Berishës kërkojnë që emri i dalë të mos jetë thjesht një kandidat i PD-së por të tejkalojë partinë dhe të ketë mbështetje të gjerë në elektorat.  

“Nëse dy pjesët e PD-së në këto zgjedhje duan t’i përdorin për të zgjidhur shumë halle që kanë, është e vështirë. Nëse do ta thjeshtonim skemën, siç e kemi propozuar ne… të mjaftohemi të dalim me një kandidat të përbashkët, atëherë do t’ia arrijmë. Bashkimi në zgjedhje duhet ta gjejmë rreth kandidatit.

Kandidati është strumbullari që na bashkon, më pas të zgjidhen problemet e tjera. Nuk duhet ta ngarkojmë gomarin më shumë sesa mban. Në këtë mes na bashkojnë tri gjëra. Na bashkon lufta kundër korrupsionit, na bashkon lufta kundër autokracisë së Edi Ramës, na bashkon edhe kandidati i përbashkët. Këto janë të mjaftueshme për të fituar një pjesë të mirë. Nëse merremi me teza të tjera, atëherë do të bëhej e zorshme”, u shpreh Dashamir Shehi i ftuar në emisionin “Debat” në A2 Cnn.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë