Sali Berisha hyri në oborrin e Kuvendit i vetëm, si deputet i pavarur dhe i shoqëruar vetëm nga truprojat e tij, pas përjashtimit që i bëri një ditë më parë Lulzim Basha nga anëtarësia e grupit parlamentar të PD.
Në fjalën e shkurtër të thënë në hyrje të Kuvendit para mediave dhe para një grupi mbështetësish që kishin dalë për ta pritur, Sali Berisha foli për nisjen e një beteje.
“Sot nis beteja për rikthimin e sovranitetit të Partisë Demokratike! Sot nis beteja kundër pazarave të turpshme dhe të fëlliqura të Lulzim Bashës me Edi Ramën”, tha Berisha.
Berisha e paralajmëroi Bashën se do të marrë përgjigjen që meriton, duke zbuluar edhe lëvizjen e radhës që do të bëjë.
“Lëvizja ime e radhës do jetë statutore për vendosjen e sovranitetit të PD. Emergjenca është kjo. PD do të rivendosë sovranitetin, legjitimitetin, statutshmërinë e saj, të grabitur poshtërsisht nga marrëveshja Rama-Basha”, tha Berisha.
Një paralajmërim shkoi edhe për Edi Ramën.
“Mund të blesh Lulzim Bashën, por kurrë nuk do blesh demokratët shqiptarë. Je i pashpresë për aktet që ke realizuar me Lulzim Bashën”, tha Berisha.
Brenda në sallë Flamur Noka, Edi Paloka dhe Tritan Shehu ishin ata që e shoqëruan ish-Kryeministrin për në vendin e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)









Lini një Përgjigje