Politike

Berisha i kërkon gjykatës të çregjistrojë Bashën si kryetar: Ka dhënë dorëheqjen  

Partia Demokratike i është drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, me një kërkesë për konstatimin e pavlefshmërisë së procesit të zgjedhjes së kryetarit të PDSH në datën 13 qershor 2021 dhe çregjistrimin e Lulzim Bashës si kryetari i PDSH nga Regjistri i Partive Politike.

Po ashtu PD kërkon çregjistrimin e Bashës për shkak të faktit të njohur të dorëheqjes së tij.

Kërkesa është dorëzuar në Gjykatën e Tiranës nga Edit Harxhi, anëtarja e kryesisë së PD, të drejtuar nga Berisha. Kjo është padia e dytë e saj lidhur me këtë çështje. Padia e parë u depozitua në maj të këtij viti.   

“Kam mbaruar seancën gjyqësore për padinë që i kam drejtuar gjykatës së Tiranës për pavlefshmërinë e zgjedhjeve të PD për kryetar, më 13 qershor. Sot kërkova ndryshimin e objekt padisë, çregjistrimin e Lulzim Bashës si kryetar nga regjistri i partive politike. Kërkesa do të merret në shqyrtim, seanca do vijojë më tej pas disa javësh”, tha Harxhi.

Lulzim Basha u zgjidh kryetar i PD më 13 qershor 2021. Ai fitoi përballë tre kandidatëve të tjerë në garë, Agron Shehaj, Edith Harxhi dhe Fatbardh Kadilli.

Më 21 mars 2022, Lulzim Basha dha dorëheqjen një veprim që nuk u reflektua në regjistrimin e partive politike në gjykatë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë