Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kërkuar që Gjykata Kushtetuese të gjykojë me paanësi të mërkurën dy paditë ndaj Olta Xhaçkës nga grupimet në PD.
“Jam sot para jush për të denoncuar me forcën më të madhe përpjekjen e rrezikshme mafioze, mobilizimin e papërmbajtur të Edi Ramës, Olsi Ramës, Amant Josifit, Artan Gaçes, Olta Xhaçkës për ndikime të shumëllojta mbi gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese në vendimin e tyre.
Ky grup i strukturuar ka ndërmarrë dhe po ndërmerr forma antiligjore, antikushtetuese presioni ndaj anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese me qëllim që të përligjin grabitjen përmes firmës së Edi Ramës nga Olta Xhaçka dhe bashkëshorti i saj, të statusit të investitorit strategjik me së paku 5 milionë euro favore.
Kushtetuta e Shqipërisë ka qindra nene, por njëri nga këto nene, do ta quaja si nenin e artë, ai është neni që nuk lejon në mënyrë kategorike deputetët dhe ministrat, të pasurohen nga pasuritë publike gjatë periudhës që ushtrojnë detyrat apo burime të tjera përveç rrogës.
Ky nen është shkelur në mënyrën më flagrante, kur ministrja Xhaçka siguron për burrin e saj strategjik, statusin e investitorit strategjik. Xhaçka kryen vepra të rënda penale, implikon kunatën e saj amerikane, me banim në Boston, si bashkëpronare në këtë aferë të tmerrshme korruptive”, tha Berisha.
Kushtetuesja ka vendosur që seancat për çështjen Xhaçka të hapen në datën 18 janar 2023, ku brenda të njëjtës ditë do të trajtohen dy padi, njëra nga grupi Berisha dhe tjetra nga grupi Alibeaj.
Opozita ka argumentuar në kërkesën për Gjykatën Kushtetuese se mandati i deputetes së Partisë Socialiste Olta Xhaçka është i pavlefshëm për shkak se bashkëshorti i saj ka përfituar nga pasuritë publike me shpalljen si investitor strategjik nga Komiteti i drejtuar prej kryeministrit Rama.
Duke iu referuar ligjit për konfliktin e interesit, deputetët demokratë sjellin si argument se përfitimet nga pasuria publike e bashkëshortit te Olta Xhaçkës janë njësoj sikur të ishin të regjistruara në emër të vetë ministres. Sipas PD, Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë për heqjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.
Vetë Ministrja i ka rrëzuar më herët këto akuza dhe është shprehur se nuk ka asgjë të paligjshme në vendimet e qeverisë.
Ndërkohë, PS-ja ka rrëzuar dy herë kërkesat e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor për investimet strategjike, që do të përfshinte edhe çështjen Xhaçka.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje