Sali Berisha doli në një deklaratë për mediat për mungesën e debatit të drejtpërdrejtë të kandidatëve që sipas tij vjen për faj të PS
“Unë besoj se transparenca dhe përgjegjësia përpara qytetarëve kërkon në mënyrë imperative debatet në të gjitha nivelet midis kandidatëve që garojnë për kryetar bashkie. Midis këshilltarëve të parë, që garojnë për kryetarë të parlamenteve lokale.
Një fushatë mediatike pa debat është një terr i vërtetë për qytetarët shqiptarë, të cilët dënohen të dëgjojnë fjalime të stisura, të mbushura me mashtrime nga rilindësit dhe nuk kanë mundësi për asnjë lloj llogaridhënie, për asnjë lloj transparence.
Refuzimi i debatit ka në bazë krimet e mëdha ekonomike, vjedhjen e madhe të Edi Ramës dhe përfaqësuesve të tij vendorë.
Ka në bazë vjedhjen e miliarda miliarda eurove me tendera në masën 90 përqind në shkelje flagrante të ligjeve të vendit”.
Të njëjtin qëndrim pati edhe për kryeministrin Edi Rama.
“Rama nuk del dot në debat sepse është i rrethuar nga të katër anët nga muret e krimeve të tij, lidhjet e tmerrshme me McGonigalin
A mund të imagjinoni ju të dalë përpara qytetarëve Edi Rama, në debat me Sali Berishën?
Ky është një rast i artë për qytetarët shqiptarë, për t’u njohur me të gjitha aferat me dokumente zyrtarë, që mbajnë firma e vula të vjedhjes së Edi Ramës.
Me të gjithë tenderat e fituar nga baxhanaku dhe thjeshtra e tij në kundërshtim flagrant me ligjet.
Është një rast për t’u njohur qytetarët shqiptarë, për të gjitha pasuritë e tij dhe larjen e parave në këto pasuri të Edi Ramës. Origjina e parave për ndërtimin e pallatit në pajë pesëkatësh në sheshin e pallateve në Tiranë. Pallatit famoz për të cilin nuk ekziston asnjë faturë e asnjë lloji përveçse një larje parash e pastër, e qartë.
Po kështu, me sarajet e Surrelit, 720 metër linear të gjata themele. 5 mijë metër katror parku përreth shtëpisë me ullinj që shkojnë të shkulur anekënd vendit dhe që shkojnë dhjetëra mos qindra mijëra euro”, tha ai.
Një kërkesë e kishte edhe për mediat.
“Kandidatët tanë janë të gatshëm në çdo orë të ditës dhe natës, në çdo kohë, të ballafaqohen me rivalët e tyre të Rilindjes.
U bëj thirrje studiove televizive të heqin dorë nga thirrja njëri pas tjetrit të kandidatëve. Të kontribuojnë edhe ato me mundësinë që kanë, me pushtetin e tyre, që të zhvillohet debati dhe jo të vijnë për recitime. Që të ballafaqohen kandidatët dhe jo të pranojnë deklaratat shabllone të Erion Veliajt që thotë se i ka mbjellë në Bizë fidanët, faturat për të cilët i ka vjedhur.
I bëj thirrje të ballafaqohen kandidatët, se këta nuk kanë asnjë interes. Analizat e ujit dhe të ajrit të Tiranës janë të tmerrshme.
Erion Veliaj kalon nga studio në studio dhe mashtron duke deklaruar analiza që i ka bërë një OJQ që nuk ia tregon as emrin, as kampionin.
Po kështu Elbasani, Durrësi, Shkodra. Edhe në Shkodër, ja urdhëro. Ne kemi kandidatin tonë, kryetarin aktual. Këta janë sekti i territ. Këta kanë zgjedhur terrin për qytetarët”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje