Takimi i parë i Sali Berishës me bazën kundër vendimit të Lulzim Bashës zgjati aq sa koha e replikës së kryeministrit Edi Rama dhe fjalës së Bashës në Kuvend për programin qeverisës.
Sali Berisha u prit me ovacione në një sallë të mbyllur konferencash në Hotel “Rogner” i mbështetur edhe nga deputetët aktualë të PD-së, Tritan Shehu, Flamur Noka, Edi Paloka dhe Isuf Cela si dhe anëtarët e kryesisë, Gent Strazimiri apo Clirim Gjata dhe të tjerë të mënjanuar nga PD si Klevis Balliu apo ish-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani.
Salla ishte e mbushur plot me thirrje tipike në kohën e drejtimit të partisë nga Berisha. “Berisha, Berisha, Berisha” “O Sali o hero, gjithë Shqipëria ty të do… Liri demokraci, liri demokraci”.
Pati edhe nga ato thirrje të tipit “Basha ik”. Por Sali Berisha pak i mbështeti. Të paktën me xheste. Sepse me fjalë, Berisha ishte më i ashpër se kurrë ndaj Lulzim Bashës.
Ai u kërkoi solemnisht falje demokratëve për Lulzim Bashën. Në këtë moment salla shpërtheu me thirrjet: “Turp Turp”.
“Jam këtu për të kërkuar një ndjesë publike. Kam takime nga mëngjesi deri në darkë dhe deputet, me demokratë të thjeshtë pa përjashtim. Nga të gjithë më kanë thënë hapur në sy. Ne atë nuk e kemi dashur, por ne atë e kemi mbështetur nga se e mbështet doktori. Mund të ju duket çudi por unë ua them që nuk e njihja këtë në këto përmasa. Se i kisha mbyllur hesapet dhe punoja vetëm për interesa të PD-së dhe në 8 vite ju garantoj që nuk gjen me gishta të dorës që të kem arritur ti promovojë në PD. Përkundrazi ka ndodhur një spastrim i heshtur i të gjithë atyre që kishin bashkëpunuar. Dhe nuk i thash se mendoja që do të punojë me njerëzit e tij. I shihja të tjerët të largoheshin. Nuk mendoja që njerëzit të mendonin që Basha të kishte mbështetje pa kushte. Kërkoj ndjesë. Nuk jam pajtuar por si njeri i betuar që nuk kthehem më. Nisja ime është pa kthim. E dyta isha i betuar që një po të mbetet i dyti do jem unë. Nuk kisha projekt, por humbi zgjedhjet”
“Jep dorëheqjen i kam thënë në 2017. Jo më tha nuk e jap. Erdhën dhe i mori të gjitha vendimet por këtu ka bërë për interes të karriges dhe ka deklaruar fshehtas se vendimet i merr Berisha. Personalisht u garantoj që po të hapim llogaritë vendimet e mia kanë qenë që këto zgjedhje të mos bojkotohen se ishim në rrugë me djegien e mandateve” tha ai.
Berisha tha se Basha humbi zgjedhjet dhe për pasojë duhet të dorëhiqej.
Por kush duhet të udhëheqë PD? “Do e përcaktojnë demokratët me vullnetin e tyre të lirë”, tha Berisha evaziv pa artikuluar qartë qëndrimin ndaj Bashës.
Berisha paralajmëroi se do të mbledhë 1500 firma delegatesh për të mbledhur Kuvendin Kombëtar. Qëllimi sipas tij do të jetë votimi i vendimit të Lulzim Bashës ndaj tij
“Së pari, ndërgjegjësimin e çdo demokrati për situatën e krijuar, vjeljen e mendimit dhe qëndrimit të tij.
Së dyti, do mblidhen firmat e 1500 delegatëve të Kuvendit Kombëtar. Pas mbledhjes së këtyre firmave, ne do thërrasim Kuvendin Kombëtar, që është forumi më i madh i partisë.
Ne çdo gjë do e zgjidhim në mënyrën më demokratike. Ne do i kërkojmë Kuvendit Kombëtar që për vendimin të shprehet çdo anëtar i PD me referendum në mbarë Shqipërinë,” tha Berisha.
“Me Bashën nuk ka fitore. Këtë do u themi demokratëve. Unë do u thosha: mos votoni kurrë humbës me motivin se është më i mirë se ai. Humbësi nuk të çon kurrë në fitore. Ky nuk të çon asnjëherë. Mos e bëni këtë gabim.
Unë dhashë dorëheqjen edhe pse isha i sigurt se ju çoja në fitore. Por besova dhe mendova se një tjetër do e bënte më mirë se unë dhe do ju çonte në fitore. Dhe ai tjetri duhej të jepte dorëheqjen. Prandaj duhet të jemi të palëkundur në këto norma,” vijoi ai.
Më tej, Berisha rriti tonet: “Ka 8 vjet që ka humbur çdo nismë përveç ligjit të dekriminalizimit, ka 8 vjet që ka humbur çdo aksion 100%, ka 8 vjet që para syve të saj shkatërrohet mekanizmi elektoral dhe ajo nuk i del Zot, ka 8 vite që kalon nga disfata në disfatë, numëron përveç 2 mandate të përgjithshme, njërën të dhënë afrofe tjetrën të humbur, kjo është PD.
PD-ja humbi zgjedhjet e fundit në të cilat EdI Rama, vodhi, bleu dhe grabiti 2 herë më shumë vota, padiskutim, nëse Rama nuk i fitoi zgjedhjet, PD nuk i fitoi zgjedhjet dhe unë nuk mund të them atë që nuk është. Ditën e zgjedhjeve në darkë, pyet zgjedhësin demokrat, për kë votuat në PD, vetëm 1/5 e tyre për Lulzim Bashën, të tjerët për PD, e kundërta ishte raporti në kampin tjetër.
Pra s’mund të them që fituam, pa lider. I thashë në zyrë, që unë s’do e kapërdija, po kisha disa probleme të mijat. Humbe dy herë zgjedhjet duhet të ikësh 2 herë. Vuri përpara karrigen e tij dhe doli dhe u tha keni votuar, mashtronte, propagandë mashtruese, PD me aleatët ka marrë 74 mijë vota më pak se në 2013″.
Ish-kryeministri kishte mbështetje në sallë, por jo nga forumet partiake. Ndaj dhe thirrja ishte për këta të fundit
“Ne jemi këtu për t’u betuar për shpëtimin e PD-së. Si do e shpëtojmë PD-në? Me norma dhe standarde demokratike. Me vullnetin tuaj. Ne do zhvillojmë Foltoren, debatin për të njohur të vërteta në gjithë Shqipërinë. Ne do i japim zërin që meriton, vendin që meriton anëtarit tonë, të cilit nga Lulzim Basha, në mënyrën më flagrante iu dhunuan parimet për të cilat ka besuar dhe ka sakrifikuar.
Kushdo që mendon se Lulzim Basha është kryetar, le ta mbështesë. Por këto do të ndodhin përmes shprehjes së vullnetit tuaj”, tha ai. Por jo vetëm.
“Dy fjalë do u them miqve të mi në grup parlamentar, Këshill Kombëtar apo kudo që janë. Të vetmen gjë që nuk duhet t’ia lejoni vetes është që të thoni se ‘u detyrua të dhunojë statutin’. Mos e bëni një gjë të tillë kurrë. Para se ta bëni këtë gjë, duhet të jepni dorëheqjen.
Nëse do të shkonte te forumet, Basha duhej të jepte dorëheqjen. Por dorëheqja nuk ekziston për të Demokratë dhe demokrate në mbarë Shqipërinë: Berisha nuk do zemërohet kurrë me ju nëse shprehni vendim kundër tij, por jo kundër statutit të PD. Ne jemi parti e lirë, ne jemi parti konservatore, ne jemi parti e interesit kombëtar”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)






Lini një Përgjigje