Politike

Berisha mbyll turin në jug: Konstatova se socialistët urrenin Rilindjen  

Sali Berisha deklaroi në një konferencë për shtyp se turi i jugut rezultoi i suksesshëm, duke bërë edhe një radiografi të kandidatëve të PS-së.

“Qytetarët në Tepelenë, Memaliaj, Këlcyrë, Përmet, Sarandë, Konispol, Delvinë, Libohovë, Derviçan, Dropull, me një padurim, me një kthjelltësi dhe vendosmëri, po presin 14 majin për të firmosur ndryshimin. Për të firmosur shpëtimin e bashkive të tyre dhe të Shqipërisë nga kthetrat e zeza të mafies qeveritare…

Skandalet e kandidatëve të emëruar nga Edi Rama, aferat e tyre të zeza, nxinin në Tepelenë, Memaliaj, Përmet, Sarandë, Delvinë, Konispol, Derviçan, Libohovë”, tha ai. Berisha e filloi me Sarandën.

“Në Sarandë, mafia e Durrësit, e cila po humbet Durrësin falë fitores së Igli Carës, është vërsulur të pushtojë Sarandën.

Me të deleguarin personal të famëziut Alket Hyseni.

I cili ka marrë përsipër të zhvarrosë të vdekurit në Sarandë për të ndërtuar pallate qeveritarët.

Zhvarrosja e të vdekurve, mision kryesor i mafiozit të Alket Hysenit, i cili ka përballë Ardit Cikulin, një qytetar shembullor, serioz, të përkushtuar, ndaj të cilit nuk rëndon as edhe një aferë, përkundrazi virtyti, përkushtimi, aftësia e Ardit Cikulit kishte fituar zemrën dhe mendjen e qytetarëve të Sarandës.

Akuzohej direkt ministri i familjes për dhjetëra e dhjetëra hektarë të marrë me emër tjetër.

Do i bllokohen. U zotua solemnisht kryetari i ardhshëm i bashkisë së Konispolit, Fatmir Shero se kjo nuk mund të ndodhë.

Në Delvinë, Ilir Mehmeti, kandidati i fitores, një qytetar i shkëlqyer, karshi tij, njeriu që e kishte vëllanë të dënuar për ngarkesa të mëdha kokaine në Itali, kushëriri i famëziut Ardi Veliu.

Në Tepelenë, Tërmeti që e ka vendin në qeli, ka përballë një nga inxhinierët më të shquar të Tepelenës, i ardhur nga Kanadaja për të derdhur të gjithë aftësitë e tij, dashurinë dhe përkushtimin për Tepelenën.

Në Tepelenë dhe kudo në jug, koha ka ndaluar. Investimet janë zero.

Jugu po shkretohej me shpejtësi të madhe. Në Memaliaj, qytetari duhej të merrte te polici që të hynte te ish-kryetari, që nuk mendon gjë tjetër vetëm të ndante paratë e tenderave. Karshi tij, një kandidat i atdheut, që i ka shërbyer vendit në Afganistan. Një njeri popullor, me aftësi të mëdha”, tha Berisha.

Më tej ai shtoi: “Në jug konstatova se socialistët urrenin masivisht Rilindjen si një sekt hajnie. Konstatova se Edi Rama kishte filluar terrorin, angazhuar policinë, policinë bashkiake për të terrorizuar qytetarët. Por nga ana tjetër, e sigurt është se kandidatët e primarëve do jenë kandidatët e fitores”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë