Sali Berisha tha përmes një deklaratë për shtyp se Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçic ishte organizator i kryengritjes së armatosur në Kosovë dhe se kjo kryengritje sipas tij u porosit ngas Kremlini. Berisha mbajti një qëndrim kritik edhe ndaj reagimit të kryeministri Rama pas ngjarjes të së dielës.
“Si me komandë nga Beogradi, reagoi ndaj sulmit të grupit terrorist të përbërë nga oficerë të ushtrisë serbe, argati i Vuçicit në Tiranë, Edi Rama.
Në reagimin e tij në platformën X, Edi Rama nuk shprehu ngushëllime për policin e rënë në krye të detyrës, sikur në Banjskë po ndodhte një përleshje mes bandash dhe banditësh.
Së dyti, duke besuar se kryengritja nuk do të shtypej nga policia e Kosovës, përsëriti kërkesën e Beogradit për konferencë ndërkombëtare për të zhbërë arritjet 23-vjeçare të Kosovës në rrugën e lirisë dhe pavarësisë dhe për të hapur dyert për uljen e Rusisë në këtë tavolinë, kërkesë kjo e Serbisë”, tha ai
Berisha nënvizoi se, PD mbështet pa rezervë të drejtën e autoriteteve të Kosovës për mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të vendit.
“PD u bën thirrje autoriteteve të Kosovës të bëjnë më të mirën që në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, të finalizojnë me dialog, marrëveshjen me Serbinë.
PD dënon me forcën më të madhe organizimin nga Beogradit të kryengritjes së armatosur në Kosovë.
Për PD-në, organizimi nga Beogradi i kryengritjes tregon qartë se Vuçiç është një Millosheviç i ri.
PD i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të dorëzojë sa më parë Aleksandër Vuçiçin në gjykatën e Hagës për pjesëmarrjen e tij thelbësore në gjenocid dhe krime shfarosëse ndaj njerëzimit të kryera nga Beogradi ndaj boshnjakëve dhe shqiptarëve pak vite më parë.
Dorëzimi i Millosheviçit të ri në Hagë, do ishte jo vetëm përmbushje e detyrimit ligjor dhe moral ndaj viktimave të pafajshme të gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzimit, por edhe kushti i të gjitha kushteve për paqen dhe bashkëpunimin në rajon.
Me Aleksandër Vuçiç në Beograd, rajoni nuk do gjejë paqe, por vetëm konflikte dhe trazira”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje