Politike

Berisha nga Lushnja: Beteja ime s’është personale, jam më i votuari këto 30 vite

Ish-kryeministri Sali Berisha, deklaroi nga Lushnja se nuk e ka personale betejën që po bën pas shpalljes “non grata” nga SHBA-të, por për Partinë Demokratike. Ai u shpreh se këtë çështje e ka mbajtur personale dhe mbrojtjen e ka bërë për dinjitetin e tij.“ Mbrojtja e dinjitetin tim ishte në radhë të parë personale, por unë jam njeriu më i votuar i këtij vendi në këto 30 vite. Padyshim që mbroja edhe në emër të të gjithë atyre që më kishin besuar mua në çdo hap të jetës sime dhe veprimtarisë sime, ndaj jam përpjekur të ruaj dinjitetin e tyre”.

Ai sulmoi kryedemokratin Lulzim Basha, që sipas tij nuk mund të ndezë shpresë as te vetja e tij, duke ecur në 8 vite nga disfata në disfatë.

Berisha tha se “kryetari pa parti nuk e mbrojti votën dhe nuk e nxori në shesh popullin, por vrapoi si tinëzar pas karrigen së tij”.

Ish-kryeministri akuzoi edhe pasardhësin e tij Edi Rama dhe samitin e fundit të “Open Balkans” në Serbi: “Në vend që të bëjë përpjeke që të ecim drejt Brukselit, bëri gjithçka që të ecim drejt Beogradit. E shndërroi vendin në vasal të Beogradit. Në vend të procesit të Berlinit, të iniciuar për vendet e Ballkanit nga Merkelit, e zëvendësoi me emrin e Sorosit Ballkan i Hapur”.

Ai theksoi se narko-shteti, jo vetëm ka vjedhur votat dhe ka larguar shqiptarët, por edhe e ka shndërruar PD-në në një ministri të qeverisë së Ramës.

“Kohërat janë kritike, por secili prej jush po shkruajnë me duart e tyre një kapitull të re në historinë e vendit dhe të demokracisë tonë. Nga një sistem demokratik, në vendin tonë u krijuar një diktaturë e bazuar në krim, korrupsion dhe drogë. Një diktaturë që bazohet në vjedhjen e votës dhe në largimin e shqiptarëve”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë