Politike

Berisha: Nga rritja e çmimeve çdo shqiptar humbi një rrogë

Nga Përmeti, Sali Berisha tha se në vend janë zhdukur investimet në zonat rurale. “…kudo që shkoj në Shqipëri, nuk kam gjetur një prej tyre që nuk ka dorë. Kanë zhvilluar nepotizmin, kanë abuzuar dhe kanë vendosur të fundit qytetarin“, tha ai.

“Përmeti dhe Shqipëria, veçanërisht fshati dhe zona rurale, u përballën këto 10 vite me një injorim absolutisht total, ndërkohë që kanë potenciale shumë të mëdha.
Ne kishim një filozofi tjetër, filozofia jonë ishte dhe do jetë, çdo fshat me infrastrukturë: çdo fshat me infrastrukturë të njëjtë me lagjet e qytetit.
Me këtë motiv ne asfaltuam 8300 kilometra në fshat, na mbetën edhe 3000 ose 3500 kilometra. Këta që erdhën u ndaluan dhe u gozhduan duke shtruar pllaka guri në qendrat e qyteteve, me qëllimin madhor që të vjedhin.
A mund të imagjinoji ju se pllakat e sheshit ‘Skënderbej’, ku në verë vlon xhezvja e kafes, pllakat kanë kushtuar më shumë se investimet 1-vjeçare në gjithë Shqipërinë rurale.
A mund të imagjinoni se pllakat në të gjithë qytetet kanë kushtuar 2.3 miliardë euro?
Janë vjedhur të paktën 70 përqind e vlerës. Kjo është e vërteta…” tha Berisha.

Ndërsa nga Këlcyra, ai foli për rritjen e çmimeve, ku sipas tij çdo shqiptar ka humbur një rrogë më shumë vetëm në ushqime.

“Nga rritja e çmimeve, çdo shqiptar ka shpenzuar më shumë për ushqime 430 mijë lekë, sipas ekonomistëve të pavarur. Pra, çdo shqiptar ka humbur një rrogë më shumë vetëm në ushqime. Çdo pensionist ka humbur dy pensione. Edhe në vende të tjera u rritën çmime, por qeveritë e tjera ua kthyen paratë qytetarëve të mbledhura nga rritja e çmimeve. Kosova rriti me 100 euro pensionet, 100 euro u dha studentëve, 120 euro u dha rrogëtarëve. Kurse ky, paratë që mblodhi, 520 milionë euro nga rritja e çmimeve, i ndau për lukset e veta dhe klientelën e tij”, tha ai

Po ashtu, Berisha tha se Rama urdhëroi mercenarët e tij të shkelin ligjin dhe të emërojnë kryetarin e koalicionit.

“Edi Ramën e e ka kapur tmerri nga opozita dhe urdhëron mercenarët e tij të shkelin ligje dhe Kushtetutë, t’i emërojë koalicionit, kryetarin e koalicionit, të cilin ligji ia njeh në mënyrë eksplicite anëtarëve të koalicionit. Mua më bën nder se tregon tmerrin që ka nga Sali Berisha, por problemi është shikoni se çfarë qëndrimi ka ndaj opozitës. Ai e di se opozita është shtyllë e demokracisë, por pavarësisht nga kjo, do të kontrollojë edhe opozitën”, tha Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë