Politike

Berisha nga Shkodra: Çdo votë për Alibeajn i shkon Edi Ramës. 14 maji njësoj si zgjedhjet e 22 marsit 1992

Sali Berisha konsideroi sot se zgjedhjet e 14 majit kanë të njëjtën rëndësi historike si ato të 22 marsit 1992. Duke folur nga Shkodra, ku mori pjesë në një ceremoni të zhvilluar nga Bashkia e këtij qyteti për 32-vjetorin e Masakrës së 2 prilli, Berisha i bëri thirrje demokratëve që askush të mos votojë PD-në Bashës dhe Alibeajt.

“Partia Demokratike është e sigurt se do të dalë fitimtare. I garantoj shqiptarët për vendosmërinë tonë për t’i rikthyer shqiptarëve demokracinë. Binomi Basha-Alibasha përbën shëmtirën më të madhe të historisë politike të Shqipërisë, pengje të Edi Ramës dhe çdo votë e imagjinuar për ata është votë për Edi Ramën. Ata s’kanë merituar asnjë besim pasi në radhë të parë shkelmojnë veten e tyre, sillen si pengje pa asnjë lloj vlere”, tha Berisha i shoqëruar nga kandidati dhe kryetari aktual i Bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahia.

Berisha i konsideroi njësoj si zgjedhjet e 22 marsit 1992, zgjedhjet e 14 majit.

“Ne nderojmë martirët e 2 prillit në prag të zgjedhjeve të 14 majit. Njësoj si zgjedhjet e 22 marsit, zgjedhjet e 14 majit janë zgjedhjet e jetës sonë. Janë zgjedhje në të cilat përballen monizmi i egër i bazuar në krimin, vjedhjen dhe drogën, me idealet e lirisë së shqiptarëve, me vullnetin e tyre të hekurt për të rivendosur pluralizmin, për të rikthyer në Shqipëri demokracinë. Shkodra mbeti gjithnjë besnike e idealeve të veta të lirisë. Mbeti bastion i pamposhtur i demokracisë dhe vlerave të saj. Kam bindjen më të madhe se 14 maj do të jetë përsëri triumfi i idealeve të lirisë të qytetarëve shkodranë. Kam bindjen dhe ftoj shqiptarët kudo që janë të frymëzohen nga sakrifica sublime e martirëve të 2 prillit, nga qëndresa e qytetarëve të Shkodrës, nga besnikëria e tyre e palëkundur në asnjë rrethanë. Ndaj vlerave dhe idealeve të lirisë të qytetarëve”, tha ish-Kryeministri.

Berisha tha se përulet me respekt ndaj të vrarëve më 2 prill 1991. “…shprehim nderimin më të thellë për familjarët e të rënëve… në këtë 32 vjetor të martirizimit të bijve të tyre. Ne përulemi sot me nderimin më të madh para sakrificës së tyre, para sakrificës së Arben Brocit, Bujar Bishanakut, Nazmi Kryeziut, Besnik Cekës. Të rinj të cilët, 32 vite më parë mbushën këtë shesh për të protestuar paqësisht për votën e lirë. Për të protestuar kundër një diktature, e cila në një akt barbar zgjodhi të kremtojë votën e rrëmbyer, zgjedhjet e rrëmbyera, me një masakër që Shkodra nuk e kishte parë në histori”, tha ndër të tjera Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë