Ish-Presidenti Bujar Nishani, kritiku me i ashpër i Lulzim Bashës, që mbështet në garën për kryetar kandidaturën e Edith Harxhit, ka hedhur një propozim të diskutueshëm gjatë takimeve të zhvilluara në Mat në fundjavë.
“Çfarë të bëjmë për të kthyer besimin e njerëzve? Parlament ligji i parë; Vetting, hetim dhe konfiskim i çdo luge dhe piruni që ke t’i ke shtëpia si politikan, që nuk e justifikon me paratë që ke marrë në gjithë këto vite. Dhe jo vetëm këta që janë atje, por çfarë kanë qenë, president, kryeministër, ministër deputet, çfarë kanë qenë në 10 vitet e fundit…”, tha Nishani.
Bujar Nishani nuk do të jetë deputet legjislaturën e ardhshme, megjithatë, ai lë hapësire se një propozim i tillë mund të hidhet nga të tjerë kolege demokratë në Kuvendin e ardhshëm, sa kohë që parashikon edhe planin B.
“Nuk e miraton Edi Rama? Referendum. Që kush kanë qenë 10 vitet e fundit njerëz që kanë pasur pushtet, të gjithë në skaner dhe kush nuk e justifikon shtëpinë, llogarinë bankare apo makinën, konfiskim. Po e bën Kosova sot. Të bëhesh vetë pasqyrë dhe objekt i verifikimit të dalësh vetë i pari në dritën e diellit”, tha ai.
Më shumë sesa për deputetët socialistë apo kryeministrin Edi Rama, propozimi i Nishanit i shkon shumë për shtat situatës së krijuar brenda PD-së jo vetëm në akuzat e përditshme, që po i adresohen kryetarit se nuk është i besueshëm tek njerëzit për çështjen e aferave korruptive, por edhe më thellë tek vendimi i DASH për shpalljen “non grata” të Sali Berishës.
Në 10 vjeçarin e fundit përfshihet edhe kabineti “Berisha”, një propozim që më shumë se për gjithë të tjerët i referohet Sali Berishës për të hapur një lojë sa “ndërkombëtare” (me gjyqin që ka premtuar se do të fillojë në Paris) aq edhe brenda saj, sa kohe që ish-kryeministri pretendon se brenda Republikës së Shqipërisë, letrat i ka të pastra…
Pse jo me fillimin e zhurmës për vettingun e kujtdo…
Ish-kryeministri Sali Berisha dhe Bujar Nishani ruajnë ende një marrëdhënie të mirë dhe korrekte dhe kjo është reflektuar qartë edhe në deklaratat që ata kanë dhënë së fundmi për njeri tjetrin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje