Politike

Berisha: Nuk do të krijoj forcë të re politike, por do rithemeloj PD-në. Nuk ka gjykatë që e kthen Bashën kryetar

Ish-kryeministri Sali Berisha ka përjashtuar mundësinë e krijimit të një force të re politike. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Berisha shprehet se PD-së i nevojitet një rithemelim.

“Kuvendi i datës 11, mblidhet në përputhje të plotë me normat statutore. Statuti i PD, parashikon të drejtën e ¼ të delegatëve të PD-së për të mbledhur Kuvendin. Nuk janë mbledhur 2000 por janë mbledhur 4200 të dorëzuara, por tani po shkojnë drejt 5 mijë firmave në mënyrë që Kuvendi të ketë jo vetëm firmat për t’u mbledhur, por të ketë edhe maxhorancën. Tani arritja e maxhorancës e tmerron z.Basha. E di z. Basha se aty ai ka humbur dhe ai ka zgjedhur mohimin, mohimin e firmave,” shprehet Berisha përmes një video të publikuar në Facebook nga Zëri i Amerikës.

Berisha nënvizon i bindur se Kuvendi i thirrur prej tij dhe mbështetësve të tij më 11 dhjetor do të shënojë një rithemelim të kësaj partie të cilën synon ta drejtojë sërish.

I pyetur konkretisht, Berisha u pergjigj: “Kurrë jo. Përkundrazi, rithemelim i Partisë Demokratike, shndërrimi i saj në një opozitë të vërtetë, për të cilën ka nevojë jetike vendi. Gjithë kjo gjë që u bë, ndëshkimi i Sali Berishës tre javë pasi humbi zgjedhjet, nuk kishte qëllim tjetër, vetëm për të ndihmuar Edi Ramën dhe për të shndërruar opozitën në një fasadë opozitë, por kjo dështoi në mënyrë përfundimtare”.  

A do të shkojë debati për Kuvendet në rrugë gjyqësore?

“Jo nuk do të shkojë në çështje gjyqësore. Kuvendi ka të drejtë të shkarkojë kryetarin. Në rast se Kuvendi shkarkon Lulzim Bashën, nuk ka gjykatë në botë që e rikthen atë në krye të Partisë Demokratike”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë