Politike

Berisha: Po të dëgjoja Ambasadorët në ’98, PD nuk do të ekzistonte

Sali Berisha hoqi një paralele të situatës në të cilën ka kaluar Partia Demokratike në muajt e fundit me situatën që ishte në vitet 1997-1998.

Nga ‘Foltorja’ me demokratët e Tepelenës, ish-Kryeministri tregoi një episod të asaj kohe, kur si drejtues i Partisë Demokratike i ishte kërkuar që të tërhiqej nga politika.

“Më erdhi trojka mua, djali i Andrea Papanderut, Xhorxh (Jorgo) Papandreu, në atë kohë sekretar i Këshillit të Europës. Vijnë në ’98 të sjellë nga një ekstremist i majtë. Qëllimi ishte që të më sillnin mesazhin e botës që të largohesha nga politika. Më thonë se edhe mosha më thanë…në atë kohë unë isha 50 e ca vjeç. I dëgjova dhe u kthehem dhe i them Xhorxh Papandreut, që në Ballkan burrë më të mençur se babain tënd nuk kam parë, sepse u tha grekëve që Zoti mos e shtëntë Greqinë në duart e Xhorxhit”, kujtoi Berisha.

Ish-Kryeministri tha se solli këtë si shembull për të shpjeguar se përse, as ai dhe as demokratët nuk duhet të tërhiqen tani.

“Në dialogun që pata me zotin Alibeaj më thotë se me ty non grata nuk fiton PD dhe duhet të japësh dorëheqjen. I them që edhe në 1997 nuk besonte njeri se ne do të fitonim. Fituam, erdhi 2005 dhe demokratët ja dolën që të ndryshojnë Shqipërinë, si kurrë në historinë e saj, ta anëtarësojnë në NATO, të realizojmë TAP-in dhe të liberalizojmë vizat dhe vitet e ardhshme do të jenë shumë më të sukesshme se vitet 2005-2013. Prandaj, po të dëgjoja unë në ’98 ambasadorët, e merrni vesh se ku do të ishim. Ju ftoj të bashkohemi dhe të mbushim rrugët dhe sheshet sa më shpejt kundër këtij regjimi”, tha ai.

Berisha ftoi çdo demokrat që të lërë mënjanë mëritë për t’u përballur të bashkuar me Qeverinë, që sipas tij e ka zhytur vendin në një krizë të rrezikshme energjitike dhe ushqimore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë