Sali Berisha ka folur për herë të parë në konferencën për mediat mbi versionin që ai pretendon se ka për publikimin e videos seksuale të ish-kryebashkiakut Safet Gjici, i cili aktualisht ndodhet arrest me burg. Berisha ka mohuar zërat që vijnë kryesisht nga kampi tjetër se ai është personi që ka orkestruar filmimin dhe më pas publikimin e videos por njëkohësisht ka pohuar një pjesë të këtij versioni se ai e ka takuar vajzën Alma.K. me të cilën është filmuar Gjici, porse nuk pranoi të jepte detaje se pse.
Berisha tha se publikimi i videos së Gjicit ka ardhur si pasojë e klaneve brenda PS
“Së pari, unë e kuptoj interesin, por çfarë mund të them unë janë tre variante.
Varianti i parë është ai që shpjegon Alma. Ai ishte një seks për tender. Kur ua thosha unë këtu korrupsioni erotik, më thoshit na thuaj raste, ja ku është raste.
Varianti i dytë është se këtë ia bënë njëri-tjetrit. Grindje e brendshme mes klaneve të PS-së. Përmendin persona të ndryshëm, por unë dokumente dhe fakte nuk kam.
Tani ka një përpjekje siç e shihni ju, që Almën ta paraqesin si agresore dhe Safetin si viktimë. Por kjo është unike në botë.
Duket se pasi ka ndodhur historia, lëpirësit e qeverisë kanë gjobitur Safetin. Dhe gjoba flitet deri në 500 mijë euro për të mos e dhënë filmin.
Mirëpo ndodhi që filmi u dha dhe tani Safeti kërkon paratë edhe nga burgu. Dhe tani kanë gjetur të thonë: Safet, këta ta ka organizuar Saliu.
E kanë hallin që mos i kthejnë borxhin Safetit.
Lidhur me Almën, ajo ka ardhur te unë. Unë si rregull nuk bëj publike bisedat, secili prej tyre është i autorizuar të bëjë publike bisedat.
Është e vërtetë që ka ardhur, nuk është e vërtetë kurrë se nuk është praktika ime e luftës politike kjo, se Erion Veliaj nuk do ishte kurrë ky që është në detyrë, po unë jam Sali Berisha dhe nuk shkoj në këto veprime. Këtë e di edhe Erion Veliaj vetë…”, tha Berisha
Gjatë konferencës ai informoi gjithashtu se opozita kishte përfunduar edhe dosjen e asaj që ai e cilëson si farsë elektorale.
“Si gjithnjë, kryefjalë e bisedave të mia me ju është farsa elektorale.
Dua t’ju informoj ju se raporti për farsën elektorale është i përfunduar.
Shumë shpejt, në fillim të javës që vjen ai do paraqitet para jush dhe opinionit publik shqiptar.
Ndërkohë është paraqitur dhe vazhdon të paraqitet para opinionit publik ndërkombëtar.
Ky raport, i bazuar në qindra dhe mijëra fakte, dëshmon se me 14 maj u zhvillua farsa më e turpshme elektorale pas diktaturës komuniste në Shqipëri dhe Europë.
Ky raport dëshmon se zgjedhjet e vitit 2023 ishin një proces totalisht i kontrolluar nga qeveria, një proces në të cilin shqiptarët votuan në një presion si kurrë më parë në 32 vite.
Ndaj, duke qenë në përfundim të këtij raporti, u informoj se ai do paraqitet para jush si një ekspoze tërësore.
Pastaj ka një projekt që do paraqitet qark pas qarku, të gjitha problematikat e mëdha”, tha ai
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje