Sali Berisha ka publikuar video të reja në të hënën në mesditë përmes një konference për shtyp ku evidentohen raste te shkeljes të zgjedhjeve si votimi në grup, orientim nga operatorët për votimin apo edhe përfshirja e zyrtarëve të administratës, duke diktuar votën për qytetarë të vecantë.
Berisha u fokusua përmes videosh në bashkinë e Elbasanit.
“Në serinë e farsës elektorale, unë kam sjellë këtu para jush dokumente në video, të cilat faktojnë në mënyrë të pamohueshme batërdinë elektorale që ndodhi në Elbasan, rolin prej kriminelësh elektorale të hapur të operatorëve socialistë, kontrollin e tyre të plotë mbi votën e qytetarëve, votimin e tyre për qytetarët, format e votimit jashtë të gjitha standardeve ligjore dhe kushtetuese të vendit dhe ndërkombëtare.
Atë çka tregojnë kamerat në Elbasan, ajo është shëmbëlltyra e shëmtuar e këtyre zgjedhjeve.
Unë ftoj shqiptarët të ndjekin këto fakte dhe dokumente të një rëndësie jetike, për të marrë vendimin, ndoshta më të rëndësishëm të jetës së tyre, të përballemi me mosbindje civile me këtë regjim që nuk na lejon të votojmë, që kontrollon votën, manipulon votën tonë dhe është i aftë të shkelë çdo ligj, çdo vendim, në mënyrë që të grabisë mandatet e pamerituara…”, tha Berisha.
Ai tha se opozita nuk do të njohe këto zgjedhje duke ftuar qytetarë në mosbindje civile.
“Këto ishin disa video përfaqësuese të mbi 70 përqind të qendrave të votimit të kontrolluara.
Sepse jo të gjitha janë kontrolluar dhe jo në pak raste, kamerat janë vendosur në atë mënyrë që përjashtojnë kontrollin.
Është bërë vendosje kamerash që të mos filmojnë përveçse në gjunjë e poshtë votuesit.
Kjo ka qenë shumë e përhapur në Kamëz, por është përdorur edhe në zona të tjera.
Elbasani, rrethi i dytë më i madh pas Tiranës, është farsa më e shëmtuar elektorale, pavarësisht nga votimi dixhital që u vendos aty me qëllimin më të mirë për të shënuar një hap cilësor.
Por Edi Ramën dhe kriminelët e tjerë elektoralë nuk i ndalon asgjë, asnjë akt, asnjë shkelje ligji, asnjë dhunim kodi, etike, norme, për të rrëmbyer mandate që nuk i takonin.
Prandaj këto zgjedhje nuk njihen kurrë, shqiptarët në protestë do vendosin të drejtën e tyre legjitime, kushtetuese për të votuar të lirë, njëlloj si kombet e tjera të Europës”, tha ai
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje