Politike

Berisha: Rama dhe Yuri Kim tentuan shkatërrimin e PD-së, por ne do hyjmë në zgjedhje

Sali Berisha ka theksuar se Partia Demokratike, ku pretendon se është kryetar, dhe kandidatët e primareve do të regjistrohen në zgjedhjet e 14 majit 2023, pavarësisht përpjekjeve, sipas tij, për shkatërrimin e PD.

Në eventin e zhvilluar për 60-vjetori i lindjes së Azem Hajdarit, Berisha tha se opozita është sot më e fortë se kurrë dhe se mbetet e frymëzuar si dikur kur u ngrit nga Azemi dhe studentët e Dhjetorit.

Akuzat nuk i kurseu ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ambasadores së SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, ku tha se “të dy kontraktuan si vrasës me pagesë McGonigalin dhe ambasadorë që të bëjnë gjithçka që ne të mos hyjmë në zgjedhje”.

“Sot, ata që vranë, ekzekutuan Azem Hajdarin para PD-së, sot ata që kontraktuan si vrasës McGonigalin, që kanë kontraktuar si vrasës me pagesë ambasadorë, bëjnë gjithçka që ne të mos hyjmë në zgjedhje. Bëjnë gjithçka duke i thënë vulën dhe logon pengjeve që i kanë marrë ata në këtë afër makbethiane. Rama nuk është i vetëm. Ai u ndihmua nga ambasadorja Yuri Kim, e cila bëri çdo ndërhyrje në gjykate. E korruptuar sa vetë McGonigal, ajo është betuar se PD do shkatërrohet, se Shqipëria do përjetojë ndëshkimet më të rënda.

Pse? Sepse nuk pranon monizmin e Edi Ramës. Të gjitha këto u kaluan, ndaj Azemi është më i gjallë se kurrë sot. Ne jemi dhe mbetemi opozitë e fuqishme sikur atëherë që u krijuam. Aleati më kryesor janë dhe do mbeten SHBA dhe BE. Ne mbetemi të angazhuar që në këto zgjedhje të marrim rezultatet më të mëdha dhe t’i japim goditjen më të fuqishme Edi Ramës dhe përpjekjeve të mafies për të shndërruar Shqipërinë në çifligun e saj”, tha Berisha.

Berisha i ka bërë gjithashtu thirrje shqiptarëve që të ngrihen në protesta dhe të marrin “në dorë fatet e vendet”.

“Ky është një kushtrim për çdo shqiptar, në Shqipëri dhe botë, për t’u ngritur. Të mos sodisin këtë vdekje graduale të Shqipërisë. Po vdiq Shqipëria, kombi shqiptar nuk mund të ekzistojë. Shqipëria është djepi, është kushti më themelor i ekzistencës së kombit shqiptar. Ndaj ftoj shqiptarët t’i dalin zot vendit të tyre ndaj një agresioni barbar të mafies. Shuarja e Shqipërisë është shuarja e kombit”, tha Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë