Politike

Berisha: Rama në shërbim të Vuçiçit. Balla: Shumë shpejt je ‘non grata’ edhe nga BE

Gazeta Si – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, hodhi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama dhe tha se ai ka për flamur të vërtetë flamurin e Serbisë.

Sipas Berishës, me vizitën e tij të parë në Beograd, Rama ka bllokuar procesin e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës.

“Problemi është se kjo qeveri dhe kreu i saj për flamur të vërtetë ka atë të Beogradit. Për kryeqytet të vërtetë europian nuk ka Brukselin, por Beogradin. Në mënyrë të befasishme në vitin 2013 Edi Rama sikur të zgjohej nga varri Enver Hoxha vrapoi me padurim drejt Beogradit, – deklaroi ai. – Mirëpo në vitet 2010-2013 pati një proces intensiv negociatash midis Prishtinës dhe Beogradit si palë të barabarta. Rama u vu në shërbim të padronit të tij dhe bëri gjithçka për të bllokuar atë proces, i cili eci deri në firmosjen e marrëveshjes së përgjithshme, marrëveshje që ‘de facto’ sanksiononte njohjen reciproke të dy vendeve”, tha Berisha gjatë seancës së parë plenare të këtij sesioni në Kuvend.

Ndërkohë, në përgjigje të akuzave të ish-kryeministrit, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla paralajmëroi se Sali Berisha do të shpallet “non grata” edhe nga Bashkimi Europian.

Duke folur nga Kuvendi, Balla hodhi akuza ndaj Berishës se ka bërë gjithçka kundër interesave të Shqipërisë.

Ai theksoi se është “turp” për Kuvendin që ai të jetë i pranishëm në një kohë ku është shpallur “non grata” nga SHBA dhe Britania e Madhe.

“Është për turpin e këtij Kuvendi që ndodhet një ‘non grata’ i shpallur nga SHBA dhe Britania e Madhe dhe mos u habisni edhe nga BE. Vijon të livadhisë i qetë. Ai përbetim që opozita do të bëjë namin, mesa duket vetëm dasma është lajmi i madh i kësaj vjeshte”, shtoi Balla.

Mes të tjerash, Balla theksoi se Shqipria duhet të fillojë të mësohet me sulme kibernetike si ai i Iranit.

Vendimi për të ndërprerë marrëdhëniet me shtetin e Iranit, kreu i grupit parlamentar socialist tha se ishte sovran.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë