Pas vizitës së ekspozitës së Avni Delvinës, ish-kryeministri Sali Berisha, në një prononcim për mediat, u bëri thirrje socialistëve të largojnë sa më parë Ramën.
Sipas tij, kryeministri Rama përbën një rrezik kombëtar dhe urrejtja ndaj tij bëhet çdo ditë e më e pakufishme.
“Siç e patë erdha këtu të vizitoj një ekspozitë nga piktori Avni Delvina. Ekspozitë e frymëzuar nga transformimi i Donald Trump. Çdo gjë ka një fund dhe ky fund është i afërt. U bëj thirrje socialistëve në interesin më të mirë të tyre që të largojnë me urgjencë Edi Ramën dhe klikën e tij nga pushteti sepse e them me bindjen time më të thellë se urrejtja ndaj tij bëhet çdo ditë më e pakufishme. U bëj thirrje socialistëve të mos nënvlerësojnë situatën, sepse në mënyrë absolute ndëshkimi popullor për Edi Ramën do të jetë tepër i sigurt. Ndaj ti thërrasin mendjes. Ky është një revolucion i nisur nga studentët tani e kanë marrë fjalën qytetarët. Çdo javë e Edi Ramës në pushtet është rrezik madhor kombëtar”, u shpreh ish-kryeministri Berisha.
Berisha thotë se zgjedhje me Edi Ramën kryeministër nuk do të ketë më në Shqipëri.
“Opozita po bën përgatitje të etshme për zgjedhjet, por zgjedhje me Edi Ramën në Shqipëri nuk do ketë më, për këtë ju garantoj”, tha Berisha.
I pyetur për apelin e SHBA dhe të ndërkombëtarëve ndaj opozitës se debatet duhet të bëhen në Kuvend dhe jo me dorëzim mandatesh, Berisha ka deklaruar se kancelaritë e huaja duhet të vijnë e të shohin realitetin në Shqipëri.
“Ata nuk kanë qëllime të këqija, por të vijnë të shohin një realitet që do të jetë në shumë aspekte krejt tjetër”, tha ndër të tjera ai.
Me protestat e nisura, opozita e bashkuar shqiptare kërkon qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme, por kryeministri Edi Rama është shprehur se vendi nuk do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme. Pas protestës së djeshme, opozita dorëzoi mandatet e deputetëve, pavarësisht thirrjeve të ashpra nga ana e ndërkombëtarëve për të mos shkuar drejt këtij akti që sipas tyre cenon jo vetëm demokracinë e vendit, por edhe të ardhmen integruese të Shqipërisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje