Politike

Berisha vendos skemën si do regjistrojë kandidatët për 14 majin: Në zgjedhje do të dilet me koalicion. Nuk ka të pavarur 

Vendimi i fundit i Gjykatës së Apelit, që riktheu vulën e Partisë Demokratike tek grupi i Enkelejd Alibeajt duket se do të mbyllë çdo lloj dere bashkëpunimi mes dy palëve, që janë të përçara prej gati dy vitesh. Pas vendimit të Apelit, ish-kryeministri Sali Berisha ka mbledhur strukturat e Rithemelimit, në të cilat u diskutua se çfarë strategjie do të ndjekin.

Këshilli Kombëtar i Rithemelimit, i cili u mblodh këtë pasdite ka votuar që të futen në zgjedhje me koalicion. Këshilli ka miratuar Kryesinë e Rithemelimit që të përcaktojë skemën e koalicionit, që do të thotë se Berisha në zgjedhje vendore do t’i fusë kandidatët nën siglën e Partisë së Lirisë, apo partive të tjera aleate.

Në fjalën e tij, Berisha bëri të qartë se do të ndërpresin çdo lloj bashkëpunimi me grupin e Enkelejd Alibeajt, duke i akuzuar si pengje të Edi Ramës. Berisha tha se Rama i përdori deputetët e grupit të Alibeajt në vendimin më armiqësor ndaj pluralizmit politik, atë të vulës së PD-së.

“Këta dy persona, nuk kanë dhe nuk mund të kenë më asnjë lidhje me Partinë Demokratike. Këta janë një histori që tejkalon në këto 30 vite çdo histori të turpshme në politikën shqiptare ndaj dhe PD-ja ndahet në mënyrën më përfundimtare me këta bashkëpunëtorë, në krimin më të rëndë antikushtetues të Edi Ramës. Nga këta të marrë peng, të cilët i shërbyen apo i shfrytëzoi Edi Rama për vendimin më armiqësor, në këto 30 vite ndaj pluralizmit politik në Shqipëri”, tha Berisha. 

Grupi i Berishës pritet që të depozitojë në KQZ kërkesën për t’u regjistruar në zgjedhje. Berisha u shpreh se Rama bëri gjithçka që mos të futeshin në zgjedhje, por theksoi se nuk kanë ndërmend ta bojkotojnë garën elektorale të 14 majit.

“Ne jemi në një moment shumë të veçantë, jemi në një fushatë elektorale në të cilën  Edi Rama bën gjithçka që të mos marrim pjesë në votime, por revolucioni ynë paqësor, jo që nuk përjashton, por ka shtyllë një nga shtyllat më kryesore ka zgjedhjet, pjesëmarrjen në zgjedhje.

Ne do të bëjmë gjithçka për një fitore të thellë në këto zgjedhje. Edi Rama u përpoq që të mos hyjmë në zgjedhje, që ti bojkotojmë, por ne nuk bojkotojmë as zgjedhjet as Shqipërinë. Ne do ti qëndrojmë me gjithë forcën tonë, interesit kombëtar, vlerave demokratike”, tha Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë