Politike

Berisha: Vlora Hyseni vizitoi fshehtas Serbinë, kërcënim për rajonin, të dorëhiqet

Në kulmin e konfliktit në Veri të Kosovës për të cilën foli sërish nga Bradislava edhe kryeministri Edi Rama, Sali Berisha ka postuar një qëndrim krejt tjetër në formën e denoncimit duke e vendosur gishtin tek Drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni. Berisha i referohet mediave si burim për qëndrimin e tij.

“Miq, mediat informojnë se Vlora Hyseni, drejtore e Shërbimit Inteligjent të Shqipërisë nisi punën me vizitën e saj të parë sekrete në Beograd dhe ky lajm deri sot nuk është përgënjeshtruar nga SHISH. Kjo vizitë e saj në Beograd për kohën që zhvillohet, por dhe background-in e shkarkimit të saj nga autoritetet e Kosovës, dëshmon se ajo u emërua në atë post si një urë lidhëse konfidenciale midis Ramës dhe sivllaut të tij Vuçiç, në bashkërendimin e veprimtarive të tyre kundër Kosovës dhe jo vetëm.

Në këtë kontekst kjo vizitë në kulmin e krizës së marrëdhënieve Kosovë-Serbi flet për një bashkërendim të përpjekjeve të Ramës dhe padronit të tij kundër Kosovës, gjë që i intereson shumë këtij të fundit për shkak të krizës të rëndë politike të brendshme të Beogradit.

Por vizita e fshehtë e Vlora Hysenit në Beograd, po të kemi parasysh se ajo drejton Shërbimin Inteligjent të një vendi anëtar të NATO-s është një ogur i keq për të gjithë informacionin e klasifikuar të NATO-s, i cili nëpërmjet konfidentes Hyseni mund të përfundojë në duart e padronit të Edi Ramës, Putinit të Vogël dhe nga ai, në duart e Putinit te Madh”, shkruan Berisha

Kjo vizitë, sipas tij, është një goditje e rëndë për bashkëpunimin tonë me shërbimet e vendeve mike të rajonit.
“Dënoj këtë vizitë si një kërcënim serioz për sigurinë e Kosovës, të Shqipërisë, rajonit dhe NATO-s dhe kërkoj largimin e saj të menjëhershëm nga detyra”, shkruan ai


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë