Bota

Berlini dërgon tanke ‘Leopard’ në Kiev. Putin: Trupat pushtuese amerikane në Gjermani

Gazeta Si – Qeveria gjermane ka konfirmuar se do t’i sigurojë Ukrainës tanke luftarake “Leopard 2” dhe do të miratojë kërkesat e vendeve të tjera për të bërë të njëjtën gjë.

Kancelari Olaf Scholz tha të mërkurën se Gjermania “po vepron në koordinim të ngushtë” me aleatët e saj. Ka një luftë në Evropë jo shumë larg nga këtu. Dhe ne duhet ta bëjmë të qartë se bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të mbështetur Ukrainën, por në të njëjtën kohë se duhet të shmangim një përshkallëzim që çon në një konfrontim midis NATO-s dhe Rusisë. Ky është parimi i ndjekur deri tani dhe ne do të vazhdojmë ta ndjekim”.

Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin hodhi akuza se “forcat amerikane në Gjermani janë trupa pushtuese, në terma legalë dhe efektivë”, duke lënë të kuptojë se një gjë e tillë është e paligjshme sipas të drejtës ndërkombëtare.

Mes të tjerash, ai tha: “Rusia nuk mund të lejojë që territoret e saj historike të kërcënohen. Qëllimi kryesor i operacionit ushtarak në Ukrainë është mbrojtja e popullit dhe vetë Rusisë”.

Zëdhënësi i Qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit, tha më 25 janar se qëllimi është që të krijohen shpejt dy batalione me tanke Leopard 2 për Ukrainën, duke shtuar se Gjermania në hapin e parë do të sigurojë 14 tanke nga rezervat e veta ushtarake.

Trajnimi i trupave ukrainase për përdorimin e këtyre tankeve do të fillojë së shpejti dhe Gjermania, gjithashtu, do të sigurojë logjistikë dhe municione, tha Hebestreit.

Vendimi i shumëpritur pasoi njoftimin e zyrtarëve amerikanë se ishte arritur një marrëveshje paraprake që Shtetet e Bashkuara të dërgonin tanke M1 Abrams për të ndihmuar Kievin t’i zmbrapsë forcat ruse të vendosura në lindje të vendit.

Scholz kishte këmbëngulur se çdo lëvizje për t’i siguruar Ukrainës tanke të fuqishme Leopard 2 do të duhej të koordinohej ngushtë me aleatët e Gjermanisë, kryesisht Shtetet e Bashkuara.

Anëtarët e Qeverisë së koalicionit tre-partiak të Scholzit e mirëpritën lajmin përpara njoftimit zyrtar.

Ukraina ka muaj që kërkon tanke luftarake, për të luftuar forcat ruse që e kanë nisur luftën në këtë shtet.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, beson se rreth 300 tanke Leopard do të ndihmonin në mposhtjen e Rusisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë