Seanca e sotme plenare ka nisur me betimin e 7 deputetëve të rinj të opozitës, Lefter Maliqi, Alban Zeneli dhe Ligoraq Karamelo nga PD dhe Majlinda Halilaj, Ediola Braha, Edlira Hyseni dhe Elda Hoti. Ndërkohë në seancën e sotme është i pranishëm edhe deputeti i LSI-së Lefter Koka, i cili bashkë me Myslym Murrizin dhe Rudina Hajdarin nuk dorëzuan mandatin.
Deputeti Lefter Maliqi në fjalën e mbajtur në Kuvend ka sfiduar kryedemokratin Lulzim Basha, duke u shprehur se edhe sot po i gënjen demokratët ashtu si gënjeu me listën e PD në 2017-ën.

“Basha e mbajti fjalën më bëri deputet, i jam mirënjohës ligjit dhe Kushtetutës. Pavarësisht kësaj do t’u drejtohem të gjithë demokratëve, por të ndryshojnë lidershipin, vetëm Tirana ka 20 mijë anëtarë, dhe vijnë nga rrethet e tjera të protestë, çfarë revolte popullore ka këtu. E gjithë kriza qëndron te lidershipi i PD, ashtu si gënjeu me listën e PD në 2017-ën, e hartoi me familjen e vet dhe pësoi disfatë me 43 nga 56 deputetë, ashtu po i gënjen edhe sot demokratët. Ma kishte borxh dhe në zgjedhjet lokale dhe ato parlamentare mandatin”, u shpreh Maliqi.
Ndërkohë ka rënë në sy edhe deputeti demokrat i Kukësit, Alban Zeneli, pasi ishte i ulur në krah të Lefter Kokës, ish-ministrit të Mjedisit nga rradhët e LSI.
Alban Zeneli tha se nuk ka ndryshuar bindje politike, edhe pse vendimi i tij bie ndesh me grupin e PD-së që u dorëhoqën nga Kuvendi.
Ai tha se bindja e tij nuk ndryshon, kryeministri Edi Rama duhet të largohet theksoi ai.
“Mendoj se mandati i deputetit e përfaqëson më mirë interesin qytetar. Në parlament mund të mbroj qytetarët. Nga parlamenti mund të ndikoj në rrëzimin e Ramës”, tha Zeneli.
Pavarësisht se ishin 10 deputetë të rinj të opozitës në Parlament vetëm dy prej tyre kanë votuar kundër projektligjeve të qeverisë.
Në seancën e sotme parlamentare, projektligjet u kaluan me 84 dhe 85 vota.

Ndërkohë që në Parlament po zhvillohej seanca plenare mbi godinën e tij është parë një dron i lidhur me një banderolë ku shkruhet “Parlamenti i Krimit”.
Ajo është përgatitur nga të rinjtë e FRPD-së. Droni lëviz në të gjithë hapësirën përpara godinës së parlamentit, duke tërhequr edhe vëmendjen e kalimtarëve.


Pak para nisjes së seancës disa të rinj të FRPD-së u mblodhën te godina e Parlamentit.
Ata kanë mbajtur në duar pankarta thumbuese për deputetët e rinj që kanë marrë mandatin, duke aluduar se janë të blerë me 300 mijë euro e sipër nga qeveria.
Pasi kanë ngjitur pankartat, mësohet se të rinjtë kanë hedhur edhe shashka para Parlamentit e më pas janë larguar.
Edhe pse nuk ishte lajmëruar për mbajtjen e një proteste ditën e sotme, Policia e Shtetit ka marrë masat rreth Kuvendit si në tubimin e shkuar. Janë vënë gardhe rrethues nga pjesa e Parlamentit që lidhet me selinë e Partisë Demokratike, është rrethuar pedonalja që të çon te Kuvendi për të mundësuar prej aty kalimin e deputetëve. Opozita e bashkuar shqiptare do të mbajë protestë më 16 mars para Kryeministrisë për rrëzimin e kryeministrit Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)















Lini një Përgjigje