Bota

Biden emëron zëdhënësen e parë afro-amerikane në Shtëpinë e Bardhë

Gazeta Si – Presidenti amerikan Joe Biden ka njoftuar se Karine Jean-Pierre do të jetë zëdhënësja e re e Shtëpisë së Bardhë në vend të Jen Psaki, e cila do të largohet nga posti i saj më 13 maj.

Jean-Pierre është aktualisht zëvendësja e zëdhënëses aktuale. Ajo është gruaja e parë afrikano-amerikane që do të mbajë këtë detyrë.

“Karine, jo vetëm që ka përvojën, talentin dhe integritetin e nevojshëm për këtë punë të vështirë, por ajo do të vazhdojë të udhëheqë rrugën në komunikimin e punës së administratës Biden-Harris në emër të popullit amerikan. Unë dhe Jill e kemi njohur dhe respektuar Karine për një kohë të gjatë dhe ajo do të jetë një zë i fortë që do të flasë për mua dhe këtë administratë”, tha presidenti Biden, duke falënderuar Psakin për shërbimin e saj ndaj vendit.

Karine Jean-Pierre, e lindur në Martinikë dhe e rritur në Nju Jork, është e diplomuar në Universitetin e Kolumbias dhe është këshilltare për një kohë të gjatë e presidentit Biden.

Ajo ka mbajtur role të larta politike dhe komunikimi në administratën e Bidenit, në fushatën zgjedhore të tij dhe më pas si zv/president në administratën e Obamës.

Para rolit të saj në fushatë, ajo ishte Shefe e Marrëdhënieve Publike për MoveOn.org dhe analiste politike për NBC dhe MSNBC.

Jean-Pierre ishte gjithashtu drejtore e Zyrës së Çështjeve Politike të Shtëpisë së Bardhë gjatë administratës Obama-Biden dhe zëvendësdrejtore e fushatës së rizgjedhjes së presidentit Obama 2012.

Më parë, ajo ka punuar në Qendrën për Etikën Komunitare dhe Korporative, duke i shtyrë kompanitë e mëdha të ndryshojnë praktikat e tyre të biznesit dhe është një autore studimesh.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë