Bota

Biden merr Xhorxhian dhe fiton terren në shtetet kyçe

Pasiguria në Shtetet e Bashkuara vazhdon. Tri ditë pas zgjedhjeve, numërimi vazhdon ende në shtetet kyçe, ndërkohë që si Biden ashtu edhe Trump po bëhen gati për procese gjyqësore.

Është ende shumë herët për të projektuar fituesin në një sërë shtetesh kryesore, ku Donald Trump dhe Joe Biden janë “kokë më kokë” , por sytë e të gjithëve janë nga Pensilvania, Xhorxhia, Arizona dhe Nevada.

Kandidati demokrat Joe Biden ka marrë kryesinë në shtetin e Xhorxhias duke e kaluar presidentin Trump me më pak se 1000 vota. 99% e votave janë numëruar.

Të dy kandidatët kanë fituar rreth 2.45 milion vota në favorin e tyre, por raportimi i fundit e vendos Biden me përqindjen më të lartë 49.39%, ndërsa Trump me 49.37%. Në rast se Biden fiton në shtetin e Xhorxhias, ai merr 16 vota elektorale.

Duke u shfaqur i dëshpëruar dhe duke mos pranuar t’u përgjigjej pyetje të gazetarëve, presidenti mbajti një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë, për të pohuar përsëri, pa siguruar ndonjë provë, se ai ishte një viktimë e mashtrimit zgjedhor.

Votat postare, të cilat ende po mblidhen në një numër të madh, po favorizojnë Joe Biden, me ish-zëvendëspresidentin që i është afruar Trump në dy nga shtetet ku ai mbante përparësi.

Ndërkohë që votimi vazhdon, Biden duket favorit për të fituar, pasi Trump i inkurajoi votuesit republikanë të votojnë personalisht, në ditën e zgjedhjeve, ndërsa  Biden, për shkak të pandemisë së koronavirusit, u kërkoi mbështetësve të tij për të votuar me postë.

Në Pensilvani, Biden po afrohet me 22,576 vota, ndërkohë që Trump udhëhiqte me 100 mijë vota. Në Arizona, Trump është pas Biden me 47.052 vota.

Në një postim, Joe Biden shkroi se stafi i tij kishte organizuar “përpjekjen më të madhe për mbrojtjen e zgjedhjeve në histori për të luftuar përsëri”. Më parë, ai u bëri thirrje amerikanëve që të jenë të durueshëm, pasi ata presin një rezultat.

Eshtë ende e paqartë se kur do të jetë një rezultat përfundimtar, por rruga e Donald Trump drejt fitores, bazuar në sistemin e votave të kolegjit elektoral, është e vështirë.

Megjithatë ai duket se shpalli sërish fitoren në Shtëpinë e Bardhë, duke thënën votat e ligjshme ai i ka fituar me lehtësi zgjedhjet. Por, ai shtoi se manipulimet, fletëvotimet e dorëzuara me vonesë, fletëvotimet e paligjshme bënë që avantazhi e tij ne disa shtete të venitej.

Ai tha se përkundër parave të kompanive të mëdha teknologjike, parashikimeve të mediave dhe sondazheve për fitore të thella të demokratëve, republikanët arritën me sukses që të ruanin shumicën në senat, dhe dolën mirë në garat zgjedhore për vendet në Dhomën e Përfaqësuesve.

“Ne ishim në avantazh në Miçigan, Uiskonsin dhe Pensilvani në natën e zgjedhjeve dhe papritmas avantazhi filloi të venitej. Numërimi i votave në Detroit dhe Filadelfia po kontrollohet nga makineria e korruptuar demokrate”, tha Presidenti Trump.

Zoti Trump tha se do të ketë shumë padi gjyqësore për parregullsitë që, sipas tij, kanë ndodhur në disa shtete dhe se ato mund të përfundojnë në gjykatën më lartë të vendit. “Ne duam zgjedhje të ndershme, numërim të ndershëm. Do të ketë shumë padi gjyqësore për shkak të parregullsive dhe për shkak se ne nuk mund të kemi zgjedhje të vjedhura. Ndoshta kjo do të shqyrtohet nga gjykata më e lartë e vendit”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë