Bota

Biden fton 110 vende në samitin virtual për demokracinë, por jo Rusinë, Kinën dhe Turqinë

Mes 110 vendeve të ftuara nga Shtëpia e Bardhë në samitin virtual për demokracinë, të mbështetur fuqishëm nga presidenti amerikan Joe Biden, janë aleatët evropianë, Iraku dhe India, siç thuhet në listën e Departamentit të Shtetit.

Por nga ana tjetër, lista nuk përfshin Kinën, e akuzuar vazhdimisht nga administrata Biden për shkelje të të drejtave të njeriut në rajonin Xinjang, Tibet dhe Hong Kong. Gjithashtu mungojnë në “apel” edhe Rusia dhe Turqia, ndërkohë që spikat prania e Tajvanit.

Samiti në internet, është një ngjarje që Biden premtoi ta organizojë, ndërsa kandidoi për presidencën vitin e kaluar, me synimin për të bashkuar vendet me të njëjtin mendim rreth përpjekjeve për të luftuar korrupsionin dhe autoritarizmin dhe për të promovuar të drejtat e njeriut.

Ndër vendet e ftuara, janë aleatët kryesorë perëndimorë të Uashingtonit, si dhe Tajvani.

Nga ana tjetër, Kina dhe Rusia janë mes të të përjashtuarve “të luksit”. Në BE, i vetmi shtet që mungon, do të jetë Hungaria. Lista e publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, tregon se ngjarja do të bashkojë demokracitë si Franca dhe Suedia, por edhe vende si Filipinet, India dhe Polonia, ku sipas shumë aktivistëve demokracia është në rrezik.

Në Azi, disa aleatë të SHBA-së, si Japonia dhe Koreja e Jugut janë ftuar, ndërsa shtete të tjera si Tajlanda dhe Vietnami janë përjashtuar.

Mungesat e tjera të dukshme, janë sigurisht Egjipti dhe Turqia, aleatë të Shteteve të Bashkuara, në rastin e Ankarasë edhe brenda NATO-s.

Përfaqësimi i Lindjes së Mesme është zvogëluar, i kufizuar në Izrael dhe Irak, dy vendet e vetme të ftuara.

Ish-shtetet sovjetike që do të marrin pjesë, do të jenë Armenia, Estonia, Gjeorgjia, Letonia, Lituania, Moldavia dhe Ukraina. Së fundmi, në listë mungojnë Azerbajxhani, Bjellorusia, Kazakistani, Kirgistani, Taxhikistani dhe Uzbekistani.

Ndërkohë, Tajvani falënderoi Biden për ftesën. “Përmes këtij samiti, Tajvani mund të ndajë historinë e tij demokratike të suksesit”, tha zëdhënësi i presidentit, Xavier Chang për mediat.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë