Bota

Biden sulmon Putinin: Është një vrasës! Moska: Sulm ndaj nesh

Nuk ka asnjë shenjë të zbutjes së tensionit midis Shtëpisë së Bardhë dhe Kremlinit.

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha në një intervistë televizive, se ai beson se Vladimir Putin është një vrasës.

“Ju e njihni Vladimir Putinin. A mendoni se ai është një vrasës?”, e pyeti gazetari George Stephanopoulos.

“Unë mendoj se po”, u përgjigj presidenti i SHBA-ve, duke premtuar se lideri i Kremlinit “do të paguajë një çmim”, për përpjekjen për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale.

Komentet e tij vijnë pas raportit të inteligjencës amerikane, se Putini autorizoi operacione për të denigruar Bidenin dhe për të ndihmuar rivalin e tij, Donald Trump, duke minuar besimin në procesin zgjedhor dhe duke përkeqësuar ndarjet socio-politike të SHBA-ve.

Biden kujtoi se në bisedën e tij telefonike në fund të janarit, ai e kishte paralajmëruar Putinin për një përgjigje të mundshme amerikane për ndërhyrje në zgjedhjet e fundit.

“Ne patëm një bisedë të gjatë, ai dhe unë. Unë e njoh atë relativisht mirë, – tha shefi i Shtëpisë së Bardhë. – ‘Unë të njoh ty dhe ti më njeh mua’, i thashë. Nëse verifikoj që ka ndodhur, është i përgatitur”, – vazhdoi  Bideni, i cili nuk specifikoi se çfarë çmimi do të paguajë Moska.

Gjithashtu, Biden kujtoi se i kishte thënë dikur në një takim Putinit, se ai nuk mendon se kishte një shpirt…

“Ai u kthye nga unë dhe më tha, ‘ne e kuptojmë njëri-tjetrin’”, shtoi presidenti demokrat.

Pavarësisht gjykimit të tij, presidenti amerikan beson se është e mundur të “ecësh dhe të përtypësh një çamçakëz”, domethënë, të punosh me Rusinë për çështje që prekin Shtetet e Bashkuara, siç janë marrëveshjet e armëve.

Ndërkohë, presidenti i Dumës ruse, Viaçesllav Volodin, tha se “sulmet” kundër Putinit, “janë sulme kundër vendit tonë”.

Biden tha se ai e shihte presidentin rus si “një vrasës”.

“Biden me deklaratën e tij, ka ofenduar qytetarët e vendit tonë, është një histeri e shkaktuar nga mungesa e fuqisë. Putini është presidenti ynë dhe sulmet kundër tij janë sulme kundër vendit tonë”, shkroi Volodin në rrjetin “Telegram”, sipas agjencisë ruse të lajmeve, “Ria Novosti”.

Nga ana tjetër, Fondacioni anti-korrupsion “Navalny”, shkruan në “Twitter”.

“Biden padyshim e quan Putinin ‘një vrasës’. Për shkak se ai me të vërtetë është i tillë. Do të jetë e vështirë për disa që ta pranojnë, por presidenti i Rusisë është një vrasës. Të gjithë ata që dyshojnë, tregojini videon tonë, se si Vladimir Putini u përpoq të vrasë Aleksi Navalnin”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë