Gazeta Si – Joe Biden pritet të zhvillojë një raund video-thirrjesh me liderët evropianë si pjesë e konsultimeve me aleatët dhe partnerët transatlantikë për krizën ukrainase.
Mes tyre janë Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, Presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz, kryeministri italian Mario Draghi, sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, presidenti polak Andrzej Duda dhe kryeministri britanik Boris Johnson.
Sipas njoftimeve nga Shtëpia e Bardhë, presidenti i Shteteve të Bashkuara do të zhvillojë konsultime nga Salla e Situatave, dhoma e operacioneve në bodrumin e Krahut Perëndimor nga ku drejtohen operacionet më delikate ushtarake dhe të sigurisë.

Ukraina kundër tërheqjes – Për Kievin, urdhri i dhënë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për tërheqjen e të afërmve të diplomatëve amerikanë nga Ukraina, “është i parakohshëm dhe i tepruar”.
“Me gjithë respektin e duhur për të drejtën e shteteve të huaja për të garantuar sigurinë e misioneve të tyre diplomatike, ne e konsiderojmë këtë masë si të parakohshme dhe të tepruar”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko.
Ndërkohë, aleatët e NATO-s po forcojnë praninë e tyre ushtarake në Evropën Lindore dhe në vendet Balltike, duke dërguar trupa, anije dhe aeroplanë. Një lëvizje që ndezi akuzat ruse: “NATO përshkallëzon tensionet”.
Të njëjtin mendim në Kiev ndan edhe Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili thotë: “Nuk do të bëjmë të njëjtën gjë, sepse nuk ka arsye specifike.
Nuk mendoj se duhet të dramatizojmë situatën, negociatat me Rusinë janë duke u zhvilluar dhe nuk mendoj se duhet të largohemi nga Ukraina”.

Vendimi i NATO-s – Shtetet e Paktit Atlantiko-Verior, kanë vendosur të dërgojnë kontigjente në Evropën Lindore “për të forcuar aftësitë parandaluese dhe mbrojtëse, ndërsa Rusia vazhdon të rrisë praninë e saj ushtarake brenda dhe jashtë Ukrainës”.
Lëvizjet e aleatëve – Danimarka ka dërguar një fregatë në Detin Balltik dhe është gati të vendosë katër avionë luftarakë F-16 në Lituani, në mbështetje të misionit të gjatë të policisë ajrore të NATO-s në rajon.
Spanja po dërgon anije për t’u bashkuar me forcat detare të NATO-s dhe po shqyrton dërgimin e ushtarëve të saj në Bullgari.
Franca ka shprehur gatishmërinë e saj për të dërguar trupa në Rumani nën komandën e NATO-s.
Holanda do të dërgojë dy avionë luftarakë F-35 në Bullgari nga prilli për të mbështetur aktivitetet e policisë ajrore të NATO-s në rajon dhe për të siguruar një anije dhe njësi tokësore në pritje të Forcës së Reagimit të Shpejtë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shqyrtojnë gjithashtu mundësinë e rritjes së pranisë së tyre ushtarake në Evropën Lindore.

Edhe Britania e Madhe tërhiqet – Ndërkohë edhe Britania e Madhe ka njoftuar tërheqjen e një pjese të personelit të saj nga ambasada e Kievit për shkak të “kërcënimit në rritje” të Rusisë ndaj Ukrainës. Megjithatë, selia diplomatike do të mbetet e hapur për trajtimin e çështjeve thelbësore.
Më herët qeveria amerikane ka urdhëruar familjet e diplomatëve amerikanë të vendosur në Kiev të largohen nga vendi “për shkak të kërcënimit të vazhdueshëm të një operacioni ushtarak rus”.
Edhe qytetarët amerikanë që banojnë në Ukrainë, shpjegoi Departamenti i Shtetit,” duhet të konsiderojnë tani largimin nga vendi me fluturime komerciale ose mjete të tjera transporti.
Situata e sigurisë, veçanërisht përgjatë kufijve ukrainas, në Krimenë e pushtuar nga Rusia dhe në Donetsk të kontrolluar nga Rusia, është e paparashikueshme dhe mund të përkeqësohet në çdo moment”
Gjermania kërkon dialog – “Ne jemi në solidaritet me Ukrainën, nuk duhet të përziejmë territorin aleat me Ukrainën”, tha Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock.
“Ne gjendemi në një situatë në të cilën jam e shqetësuar për marrjen e të gjitha masave të mundshme për një dialog më të relaksuar, për t’ia bërë të qartë qeverisë ruse se ne duhet të dialogojmë dhe duhet të përdorim formatin katërpalësh. Në të njëjtën kohë, ne jemi të gatshëm të përballojmë çdo situatë”.
Reagimet nga pala ruse – Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Uashingtoni dhe NATO po rrisin tensionet përmes “njoftimeve histerike” dhe “veprimeve konkrete”, duke shtuar se rreziku i një ofensive të trupave ukrainase kundër rusëve pro-separatistë në lindje të vendit është “shumë i lartë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje