Sipas një bilanci të bërë nga Agjencia e Mbrojtjes Civile, 163 vatra zjarri janë shuar në të gjithë territorin e vendit gjatë një periudhe 11-ditore. Karaburuni mbetet vatra më problematike, ndërkohë që 3 helikpoterë kanë ardhur për ndihmë nga Çekia dhe Holanda. Për shuarjen e këtyre zjarreve kanë ndihmuar efektivët e Forcave të Armatosura, të cilët kanë shkuar në ndihmë të autoriteteve të pushtetit vendor, kur është kërkuar ndërhyrja e tyre. Ja dhe detajet e këtij bilanci:
Zjarret e rëna në bashkinë Fier, më datë 28.07.2021, në fshatin Kreshpan, Cakran dhe në vendgrumbullimin e mbeturinave në Fier, janë shuar 3 ditë pas operacioneve pa pasur dëme në njerëz dhe banesa.
Për 11 ditë është punuar nga toka dhe nga ajri në vatrën e zjarrit në Gadishullin e Karaburunit. Kjo vatër është e izoluar në pjesën më të madhe të saj. U shua në një kohë rekord zjarri i rënë më datë 30.07.2021, në vendin e quajtur “Qafa e Hartës” në Ksamil, bashkia Sarandë, duke shmangur sukses rrezikun që paraqitej për banesat aty pranë.
Zjarri i rënë në Himarë, Livadhë u shua në kohë të shpejtë, duke mos i lënë flakët të kalojnë në zonën ku pushonin turistët. U realizua me sukses mbajtja jashtë rrezikut e banesave dhe e banorëve nga zjarri që ra në fshatin Kutal, bashkia Përmet.
Zjarret e rëna në fshatrat: Qestorat, Dhoksat, A.Lengo, A.Zeneli, Krinë, Tranoshisht, Saraqinisht, në bashkinë Gjirokastër u shuan përfundimisht, duke shpëtuar në kohë banorët dhe banesat, por fatkeqësisht vetëm me një humbje jete dhe një të lënduar.
Janë shuar totalisht edhe zjarret në fshatrat Gjorm dhe Gumenicë, në Qarkun Gjirokastër. Këto vatra u shfaqën në mënyrë të menjëhershme dhe me drejtim të pakontrolluar si pasojë e erërave të forta. U arrit të mbrohej jeta e banorëve që ishin të rrethuar nga flakët.
Zjarri i rënë në bashkinë Kurbin me datë 01.08.2021, në njësinë administrative Mamurras, në një sipërfaqe me pyll pishe dhe lis u shua ne kohë duke shmangur rrezikun e banesave aty pranë. Zjarri i rënë në bashkinë Vorë, zona e Gërdecit, u menaxhua në kohë duke shmangur rrezikun e banesave qe ishin shume pranë vatrave. Edhe flakët në qytetin Fushë Arrëz, u menaxhuan pa kaluar tek banesat aty pranë. Është shuar tërësisht edhe vatra e zjarrit në Kalis të Kukësit, i cili rrezikoi edhe banesat e zonës.
Helikopterë nga Çekia dhe Holanda

Në aeroportin e Rinasit kanë mbërritur ndërkohë 3 helikopterë, nga Holanda dhe Çekia, pjesë e mbështetjes që dy vendet po i japin Shqipërisë në kuadër të aktivizimit të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian për shuarjen e zjarreve. Mjetet janë pritur nga zv.ministrja e Mbrojtjes Dallëndyshe Bici, Drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes Civile Haki Çako, përfaqësues të ambasadave përkatëse, si dhe shefi politik i delegacionit të BE-së në Tiranë, Alexis Hupin.
Drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes Civile, Haki Çako, shprehu mirënjohjen për përgjigjen në kohë të shpejtë të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile Europiane. Nga Çekia mbërriti helikopteri i parë, nga 3 që pritet t’i bashkohen flotës së ndihmës për shuarjen e flakëve.
Bashkë me helikopterët, pjesë e ndihmës janë edhe mbi 50 forca ushtarake të specializuara në fushën e emergjencave civile, të cilët do t’u bashkohen efektivëve shqiptarë që prej ditësh janë në përpjekje të pandërprera për shuarjen e flakëve në disa zona të Shqipërisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje