Politike

‘Bisha u plak, ku gaboi’, avokati që detyroi GJKKO të ndryshonte mbrojtjen: Nuk e kisha për Berishën  

GJKKO njoftoi të mërkurën në mbrëmje se sot do të mbahet seanca e radhës për të shqyrtuar masën e sigurisë ndaj Sali Berishës për detyrim paraqitje.

 Në njoftimin e saj GJKKO lajmëroi se Berisha do të mbrohet me avokat të paguar nga shteti sa kohë që dy avokatët e tij braktisën seancën.

GJKKO njoftoi fillimisht se avokati që do të mbronte Berishën ishte Artan Simoni. Por një status i këtij të fundit dy ditë më parë në Facebook solli përshtjellime nga e djathta dhe familjarët e Berishës konkretisht Shkëlzen Berisha.

“Bisha është plakur, bisha është lodhur, bisha s’mundet më. Shumë prej atyre që dikur bisha mbante mbi kurriz, pas kurrizit kanë filluar t’a çukasin. Ku gaboi bisha?!”, thuhej në një postim që i atribuohet faqes së Artan Simonit.

Lajmi mori dhënë në media duke sjellë reagimin e vetë organit të akuzës për të kërkuar ndryshimin e avokatit.

“Me kërkesë të Prokurorisë, me qëllim garantimin e mbrojtjes efektive, Gjykata zëvendësoi av Artan Simoni me avokat tjetër nga lista e avokatëve kryesisht dhe i la kohë të njihet me aktet. Seanca do të zhvillohet në daten 26.10.2023 ora 10am”, thuhet në njoftimin e shkurtër të GJKKO, por pa përmendur se kush do të jetë avokati i ri.

Artan Simoni i pyetur në mbrëmje në emisionin “Top Story” është shprehur se postimi i tij nuk kishte lidhje me Berishën

 “Ky status ka të bëjë me gjendjen personale timen, që unë vij nga studimet në histori, bisha është koncept fjalë e përditshme dhe nuk mund të personalizohet. Gjykata që të mos krijohej një situatë dyshimesh, donte të shkëputej plotësisht nga kjo gjendje.  Nuk ka të bëjë me persona të caktuar por në këto kushte është një shprehje ;Personat që shfajësohen pa ngritur askush gishtin, vetë akuzohen’. Ata që e interpretuan ka një gabim sa i përket këtij krahasimi. Nuk ka asnjë lidhje” tha avokati.

Ai tha gjithashtu se nuk është i shqetësuar nga interpretimi që i është bërë postimit të tij.

“Sigurisht se njeriu ndjen një tension më të lartë, por në thelb unë nuk them se jam shqetësuar. Kjo është e drejta e shprehjes. Interpretimet të bëhen në formën e drejtë të mundshme dhe jo në interesa të ngushta. Nga dalja ime në dyert e gjykatës e kam pezulluar statusin, por kam vënë re se gjithçka ishte në rregull e kam riaktivizuar. Shprehi personale” tha avokati.

Megjithëse u tregua diskret, ai tregoi se është njohur me një pjesë të mirë të dosjes “Berisha”

“Një pjesë shumë të mirë e kam studiuar dhe mund t’ju them që për dy arsye që janë si ajo e fazës ku gjendet hetimi dhe arsyet që gjykata dhe ligji e përcakton, e kam të pamundur ti bëj publike, edhe për shkakun se nuk jam më avokat i çështjes”.

 Simoni tha gjithashtu se më herët ka bërë mbrojtjen e disa funksionarëve të lartë.

“Ka pasur edhe raste të tjera ku kam mbrojtur funksionarë të lartë, për fat shumicën prej tyre kam fituar. Kam bërë mbrojtjen e Fatmir Mediut, më ka caktuar gjykata kryesisht. Kam mbrojtur edhe kryetarin e Dhomën së Avokatisë, Maksim Haxhia, rast që e kam fituar”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë