Ne rrjet

Bitcoin shkaktoi trazira në Kazakistan, tani kërcënohen Irani dhe Kosova

Në vendin e goditur nga trazirat e protestat në rrugë, 88.000 kompani që merren me kriptovalutat janë transferuar brenda pak muajsh. Këto aktivitete, në të gjithë botën, kërkojnë konsum të energjisë të barabartë me atë të gjithë Polonisë.

Trazirat e dhunshme në rrugë që përfshinë Kazakistanin u shkaktuan kryesisht nga rritja e çmimeve të benzinës, të cilat si pasojë kishin efekte në të gjitha çmimet e konsumit.

Por pas këtij shpërthimi ekziston një shkak më i largët: zbarkimi në vendin e ish-BRSS-së i dhjetëra mijëra kompanive që merren me kriptomonedha.

Aktivitetet e Bitcoin kanë një ndikim shumë të lartë energjetik dhe kjo mund të ketë kontribuar në rritjen e çmimeve të hidrokarbureve, të liberalizuara nga qeveria e Kazakistanit duke filluar nga viti 2022. Vende të tjera po përjetojnë probleme të ngjashme: Kosova dhe Irani, për shembull,  pezulluan të gjitha transaksionet me Bitcoin pas ndërprerjeve të energjisë. Dhe probleme në rrjetin elektrik, përsëri për “minimin” e kriptomonedhave, ndodhën gjithashtu në rajone të ndryshme të Kinës.

Gjatë vitit 2021, sipas një përllogaritjeje të bërë nga Financial Times, rreth 88.000 kompani që merren me Bitcoin dhe Ethereum u zhvendosën në Kazakistan, kryesisht nga Kina, të tërhequr nga kostot e ulëta të energjisë.

Zhvendosja masive ka shkaktuar një rritje prej 8% të kërkesës për energji në një vit, gjë që ka vënë në krizë rrjetin e shpërndarjes në vend, duke shkaktuar ndërprerje të përsëritura. Qeveria është përpjekur të ndërhyjë duke taksuar aktivitetin e kompanive që minojnë kriptovaluta, disa prej të cilave akuzohen se punojnë në mënyrë të paligjshme. Kërkesa e fortë për kilovat ka rritur nga ana tjetër çmimet e hidrokarbureve, duke shkaktuar spiralen e dhunës që shpërtheu në fillim të vitit në qytetet kryesore të Kazakistanit.

Por pse transaksionet me Bitcoin kanë një ndikim kaq të lartë në faturat e energjisë elektrike të vendeve?

Për të “minuar” Bitcoinët e vendosur në treg është e nevojshme të vihen në punë shumë kompjuterë që përpunojnë vazhdimisht algoritme komplekse. Një kompani që merret me monedhën virtuale është tani një magazinë e madhe në të cilën punojnë në të njëjtën kohë qindra kompjuterë. Një studim i Qendrës për financat alternative në Universitetin e Kembrixhit ka llogaritur se “universi” i Bitcoin kërkon konsumin e 121 teravat orësh në vit, të barabartë me nevojat për energji të kombeve si Polonia apo Argjentina.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, nga ana e saj, llogarit se e gjithë kjo përfshin prodhimin e 36 milionë tonëve C02, pasi rrjetet shpesh furnizohen me energji nga impiantet e qymyrit ose gazit.

Që nga 8 janari 2022, vlera e Bitcoin llogaritet në pak më pak se 37.000 euro, por e ardhmja e këtij sistemi pagesash po vihet në pikëpyetje ose nga mungesa e transparencës ose nga qëndrueshmëria mjedisore po aq e dobët.

Siç u përmend, jo vetëm Kazakistani po lufton me këtë problem. Kina e ka njohur prej kohësh këtë: ndërprerjet e energjisë elektrike të pësuar në disa rajone në vitin 2021 do të ishin shkaktuar pikërisht nga aktivitetet e “minimit” të kriptomonedhave; dhe për këtë arsye shumë kompani janë zhvendosur në Kazakistanin fqinj.

Për të njëjtën arsye, duke filluar nga qershori i vitit 2021, edhe Irani tha se do të ndalonte aktivitetin e fabrikave të Bitcoin-it dhe shembulli u ndoq tre ditë më parë nga shteti i parë europian, Kosova, e torturuar nga ndërprerjet e vazhdueshme të energjisë elektrike.

Burimi: Corriere della Sera/ Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë