Kandidatët që duan të bëhen pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë kohë deri më datë 29 tetor për të dorëzuar aplikimet e tyre në adresën postare të këtij institucioni.
BKH ka shpallur pasditen e kësaj të marte të hapur garën për të plotësuar trupën me 60 hetues. Vendimi mbërriti pak orë pas vizitës së Ambasadores Amerikane në këtë institucion, Yuri Kim.
Kandidatët duhet të plotësojnë kushtet e përcaktuara në ligjin për organizimin dhe funksionimin e organeve kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përkatësisht të kenë kaluar vettingun, në rastet kur mbërrijnë nga sistemi i drejtësisë ai duhet të jetë vendim i formës së prerë dhe në rastet kur mbërrijnë nga radhët e Policisë së Shtetit të kenë kaluar të njëjtin proces që po realizohet edhe në këtë strukturë.
Arsimimi i kandidatët duhet të jetë i lartë, ku preferohet arsimi i lartë policor, në drejtësi apo kontabilitet dhe të ketë përvojë pune më shumë se një vit në institucionet e zbatimit të ligjit. Kandidatët do t’i nënshtrohen një provimi me shkrim dhe me gojë për njohuritë e përgjithshme dhe për sjelljen dhe arsyetimin logjik.
Një tjetër provim i zgjeruar do të testojë aftësitë e tyre për shkrimin e raporteve dhe nivelin e shkrimit dhe të leximit. Do të merren gjithashtu në intervistë nga një komision që do të japë vlerësimet për komunikimin verbal dhe aftësinë për të komunikuar me efikasitet idetë.
Ata do të testohen edhe fizikisht, ndërsa do t’i nënshtrohen edhe një hetimi verifikues të figurës, për të konfirmuar se nuk janë të dënuar. Në fund, do të jetë edhe testi i së vërtetë në poligraf dhe informacioni i përgatitur nga specialisti i poligrafit mund të jetë vendimtar në përzgjedhjen ose jo të kandidatit.
Dokumentacioni i nevojshëm për të aplikuar për pozicionin e hetuesit të BKH-së është një vërtetim zyrtar që vërteton vlerësimet profesionale, etike dhe integritetin moral të kanditatit, vërtetim që nuk është shkarkuar asnjëherë nga detyra dhe një deklaratë që nuk ka konflikt interesi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje