Ish-futbollisti i shquar i Kombëtares, Bledar Kola, është zyrtarisht pjesë e stafit teknik të ekipit qipriot APOEL Nikosia. Lezhjani është ndihmësi i trajnerit grek, Marinos Uzunidhis, me të cilin ka punuar edhe në klube të tjera më parë. Kola, pas shkëputjes nga futbolli i luajtur, është angazhuar me trajningun, fillimisht duke punuar në akademinë e AEK-ut dhe më pas si ndimëstrajner tek Panioniosi, Panathinajkosi dhe AEK-u.
Uzunidhis, një trajner i njohur në Greqi, e ka marrë tashmë me vete në Qipro Bledar Kolën dhe të dy do të drejtojnë ekipin më të madh të këtij vendi, APOEL-in. Trajneri shqiptar ka pasur edhe një përvojë tjetër në Qipro gjatë sezonit 2012-2013, te skuadra e Omonia Nikosias.

Bledar Kola, i cili në Shqipëri ka luajtur pak vite me Besëlidhjen, Partizanin dhe Elbasanin, e ka të lidhur karrierën dhe jetën me Greqinë. Kola ka edhe nënshtetësinë greke. Ai ka luajtur për skuadra të ndryshme në vendin fqinj, por kulmin e ka arritur me Panathinajkosin, me të cilin ka luajtur edhe në Champions League. 47-vjeçari synon të bëjë karrierë edhe si trajner dhe sigurisht që përvoja si ndihmës i Uzunidhisit do ta ndihmojë.
Emri i Bledar Kolës është përmendur shpesh në periudha të ndryshme si kandidat i mundshëm për të drejtuar Kombëtaren shqiptare, sa herë që ka pasur lëvizje në stolin e saj, por në asnjë rast nuk ka pasur një ftesë zyrtare për të.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje