Politike

Blerësit e votave përfundojnë në SPAK, miratohen propozimet e PD-LSI

Komisioni i Ligjeve ka miratuar propozimet e bëra nga ana e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim në kuadër të marrëveshjes së 5 qershorit, sipas të cilave blerja e votave është një krim që duhet të hetohet nga Prokuroria e Posaçme.

Mazhoranca dhe ekspertët miratuan me rezerva këtë propozim në Këshillin Politik, duke vlerësuar se kjo mund të përbënte një ngarkesë pune jothelbësore për SPAK-un. Megjithatë, në mbledhjen e kësaj të hëne të Komisionit të Ligjeve, propozimi mori dritën jeshile dhe në seancën plenare të së enjtes pritet që të kalojë për votim.

Ndryshimet nënkuptojnë se SPAK do të ketë nën juridiksion vetëm blerësin e votës, ndërsa shitësi, që do të thotë qytetari i thjeshtë do të hetohet nga prokuroritë normale. Gjithashtu, ndryshimet detyrojnë të dyja prokuroritë që të informojnë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për ecurinë e hetimeve dhe dosjeve që ky institucion, apo parti politike mund të kenë depozituar.

I gjithë procesi i informimit mbi ecurinë e proceseve hetimore duhet të bëhet pa cenuar sekretin, apo zbuluar detaje, që në vlerësimin e prokurorëve mund të cilësohen si të ndjeshme për hetimin.

Ndryshimi tjetër thelbësor i propozuar nga PD-LSI është “amnistia penale” si për shitësit, ashtu edhe për blerësit e votave që vendosin të bashkëpunojnë me drejtësinë në zbardhjen e krimeve zgjedhore.

Këto ishin ndryshimet e fundit në kuadër të marrëveshjes së 5 qershorit. Më 23 korrik u miratuan ndryshimet në Kodin Zgjedhor, tek i cili mazhoranca ndërhyu edhe më 5 tetor pas ndryshimit të Kushtetutës më 30 korrik. Po ashtu janë miratuar edhe ndryshimet sa i përket financimit të partive politike dhe rolit të Policisë së Shtetit në proceset zgjedhore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë