Ka ndodhur

Rinisin fluturimet në Rinas, kontrollorët e huaj vënë në punë aeroportin

Nga ora 09:00 e paradites së të premtes, kanë rifilluar fluturime e para nga Rinasi, me avionin e parë Tiranë-Bolonja ndërkohë kanë mbërritur avionët nga Mynihu dhe Brukseli.

Duket se aeroporti pas më shumë se 48 orësh i është kthyer normalitetit pas bllokimit të trafikut ajror nga greva e kontrollorëve të Albcontrol.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, njoftoi se sot në orën 09:00 shënohet dhe fundi i krizës së bllokimit të punës nga greva e kontrollorëve të AlbControl

“Duke filluar nga ora 09:00 e ditës së sotme, operimet në aeroportin e Rinasit dhe në hapësirën ajrore shqiptare kthehen në normalitet“, ka shkruar Balluku.

Mëngjesin e së mërkurës u bllokuan fluturimet në aeroportin e Rinasit, ndërkohë që dje pasdite rifilluan ato esenciale që përfshijnë fluturimet humanitare, diplomatike, ushtarake dhe shëndetësore.

Kriza në aeroportin e Rinasit u zgjidh duke sjellë disa kontrollorë turq dhe grekë të trafikut ajror, të cilët do të zëvendësojnë kontrollorët shqiptarë që pezulluan punën.

Kjo bëri që në Rinas të ulej avioni i parë i “Air Albania”, i cili transportoi një sasi vaksinash kineze.

Mësohet se kontrollorët e huaj kanë mbërritur mbrëmjen e së mërkurës në Rinas, duke ardhur nga Podgorica.

Por gjatë ditës së djeshme Ministria e Transportit nisi negociata me disa vende të Bashkimit Europian për zëvendësimin e kontrollorëve të trafikut ajror në Shqipëri, të cilët kanë braktisur punën.

Deri tani, janë arrestuar  tre kontrollorë të trafikut ajror, kreu i sindikatës, Armando Fezga, Flora Ndreca, përgjegjëse e turnit dhe Muhin Mezini, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë