Gazeta Si – Në Has, policia ka bllokuar një furgon pas dyshimeve dhe denoncimit se në mjet ndodheshin ushqime, të cilat do të shpërndaheshin për llogari të një kandidati të një subjekti politik për zgjedhjet lokale të 14 majit.

Në një njoftim për mediat, policia thotë se ka shoqëruar në ambientet e komisariatit shoferin e furgonit, shtetasin Sh.M., (punonjës i bashkisë), si dhe në cilësinë e personave që kanë dijeni mbi pakot e gjetura, shtetasit B.M. dhe E.M. (vëllezër). Po ashtu, në furgon është ushtruar kontroll, ku janë konstatuar 21 pako me mbishkrimin “Rezerva Materiale Shtetërore”, të cilat ishin ngarkuar në magazinën e bashkisë.

Denoncimi për këto pako ka ardhur që mbrëmjen e së hënës, kur kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Miftar Dauti ka treguar për disa media momentin kur ka ndaluar furgonin, ndërsa ka nënvizuar se të pranishëm ka qenë edhe djali i kandidatit të PS, Halit Mulaj. Dauti është shprehur se pakot me ushqime mund të kenë qenë manipulim për të blerë votat.
Por i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Mulajt, kandidatit të Partisë Socialiste për Bashkinë e Hasit. Ai u shpreh se pako të tilla shpërndahen çdo vit me vendim të këshillit bashkiak të qytetit për qytetarët në nevojë me rastin e Natës së Kadrit. Ai tha se bëhet fjalë për pako tradicionale që shpërndahen çdo vit në kuadër të mbrëmjes së shenjtë për besimtarët muslimanë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje